Rama: Parlamenti i ri do të zhbllokojë vettingun

13/05/2017 00:00

Kryeministri Edi Rama duke folur nga Selenica tha se parlamenti i ri do të zhbllokojë vettingun. Ai tha se krerët e PD-së dhe ata që janë në krye të sistemit të drejtësisë janë të lidhur “si mishi me thoin”.

“E gjithë kjo periudhë e qeverisjes sonë ka qënë jashtëzakonisht e vështirë pasi kemi qënë të detyruar të punojmë në një vend ku ende drejtësia është në kthetrat e gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar, të lidhur si mishi me thojin në ata që janë ngujuar në bunkerin prej plastmasi në bulevardin “Dëshmorët e kombit” për turpin e tyre nga frika e drejtësisë. Kjo i ka mbledhur bashkë në bunkerin e turpit. Ata që drejtojnë PD dhe ata që vazhdojnë të qëndrojnë në krye të sistemit të drejtësisë janë të lidhur si mishi me thoin. Por të jeni të bindur se në 18 qershor ne do t’i zbrapsim njëherë e përgjithmonë. Të jeni të bindur se bllokimi i vettingut për të çliruar drejtësinë do të mbarojë më 18 qershor, dhe të jeni të bindur se Parlamenti i ri menjëherë pas votimit të qeverisë së re do të votojë zhbllokimin”, tha Rama.

Rama ka folur edhe për opozitën ku tha se “është vërtetë dëshpëruese të shohësh një parti që lindi nga shpresa e madhe për Shqipërinë si gjithë Europa, të pushtojë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe të ngujohet aty për t’i ndërprerë rrugën aspiratës së këtij populli për të pasur drejtësi, për t’i prerë rrugën qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi për të gjetur drejtësi, për t’i prerë rrugën të ardhmes duke u bërë barrikadë për të mos lejuar çlirimin përfundimtar të Shqipërisë nga diktatura e korrupsionit në drejtësi”.

Top Channel