Shpërthimi i bombolave, zjarrfikësit në Gjirokastër në fushatë ndërgjegjësimi

12/05/2017 00:00

Në Gjirokastër është rritur numri i shpërthimeve të  bombolave të gazit që kanë sjellë si pasoje zjarrie në banesa. Vetëm gjatë këtij viti janë shënuar më shumë se 10 ngjarje me dëme materiale në qytet dhe rrethina.

Një program stërvitor, ku u angazhua i gjithë ekipi zjarrfikës, kishte si synim të ndërgjegjësonte qytetarët për sigurinë e enëve me presion që përdorin si dhe furnizimin e bombolave pranë pikave të licensuara.

“Problemi është te certifikimi i bombolave të gazit. Duhet të sigurojnë shtëpitë dhe familjarët me këtë masë që duhet të marrin”, thotë Kujtim Bizhga, drejtor i zjarrfikëses.

Sipas Bizhgës, sfidë tjetër mbetet gjendja e amortizuar e mjeteve zjarrfikëse, numri i kufizuar i tyre dhe mungesat e shumta logjistike. Reparti zjarrfikës për Gjrokastrën ka nën administrim 8 mjete, më i riu prej të cilëve është prodhim i vitit 1997, ndërsa zjarrfikësit po përpiqen të mbajnë ende në funksion një mjet të vitit 1978.

Po ashtu, rrugët e ngushta në disa lagje të qytetit kanë krijuar vazhdimisht vështirësi në shuarjen e zjarreve. Reparti zjarrfikës është duke ndërmarrë një fushatë ndërgjegjësimi dhe kontrolli pranë subjekteve që përdorin lëndë me rrezik të lartë zjarri për të verifikuar masat e mbrojtjes nga zjarri.

Top Channel