Rama: PD do të na ndajë nga Europa. Shqipëria, e para

12/05/2017 00:00

Nga Lezha, kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje votuesve të rinj që më 18 qershor të votojnë forcën e ndryshimit, që sipas tij solli qeveria e tij në këto vite.

“Këto që ne bëmë në 3 vjet e gjysmë mund të ishin bërë shumë vite më parë. Në këtë vend nuk kishte më asnjë shpresë. Kjo që kemi bërë ne është ndryshimi i madh mes nesh dhe atyre që janë ngulur në bunkerin prej plastmasi sepse kanë frikë nga drejtësia”, ka thënë Rama.

Ai ka akuzuar opozitën se, refuzon zgjedhjet e 18 qershorit pasi dëshiron të mbajë në punë prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar.

“Nuk duan që pas 27 vjetësh nën thundrën e padrejtësisë drejtësia të çlirohet nga kthetrat e korrupsionit. Ata e dinë mirë që duke dalë hapur kundër vettingut nuk mund të shkojnë përballë demokratëve e t’u thonë na jepni votën, ndaj nuk duan zgjedhje”, ka thënë Rama.

Duke theksuar se, PS dhe aleatët e saj i duan zgjedhjet për të vendosur drejtësinë, Rama ka akuzuar lidershipin opozitar se, “janë gati të na prishin me Europën dhe Amerikën, ndaj u janë vërsulur ambasadorëve”.

Ndonëse PS, sipas kryeministrit, është partia që i duhet më shumë vendit, “ajo që vjen e para është Shqipëria”, ka shtuar ai.

Top Channel