Ngacmoi të miturën, arrest me burg për mësuesin

12/05/2017 00:00

Gjykata e Tiranës caktoi mesditën e së premtes masën e sigurisë arrest me burg për mësuesin 64-vjeçar Hasan Martani, i akuzuar për ngacmime seksuale ndaj një minorene.

Gjatë seancës për caktimin e masës, prokuroria relatoi se 64-vjeçari, mësues matematike, ka ngacmuar seksualisht nxënësen e tij 14 vjeçe. Si prova për këtë akuzë, Prokuroria ka disa mesazhe që 64-vjeçari ia ka dërguar nxënëses nëpërmjet Facebook-ut si dhe dëshminë e vetë vajzës në prani të psikologes.

Por ndryshe nga sa pretendon minorenia, i akuzuari Martani, ka mohuar që të ketë kryer veprime konkrete për të ngacmuar seksualisht nxënësen në fjalë. Edhe sa i takon mesazheve në Facebook, ai ka ngritur pretendimin se bisedat janë bërë me një tjetër person, por janë keqpërdorur nga prindërit e vajzës.

Pavarësisht këtyre alibive, Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e Prokurorisë, duke caktuar ndaj 64-vjeçarit Hasan Martani masën e sigurisë arrest me burg. Martani u ndalua nga policia mbrëmjen e së martës pas denoncimit që bëri nëna e minorenes.

Ngjarja u bë publike një ditë më parë, kur e ëma e vajzës denoncoi mësuesin në polici.

Top Channel