Kriza politike, analistët: Mes demokracisë dhe stabilitetit

12/05/2017 00:00

Zgjidhja e krizës politike në këto orë të fundit, teksa data 18 qershor po afrohet, shihet me hije të medha dyshimi, por edhe me ndonjë fije të vogël shprese nga opinionistët.

Skënder Minxhozi, editor i portalit Javaneës.al, i cili shpesh është shprehur pro rolit ndërkombëtar në krizat vendase, thotë se Hahn dhe Brukseli na masin me metrin e shoqërive perëndimore.

“E kanë të vështirë të besojnë se pushteti ndryshohet në tavolinë dhe jo me votë, se qeveritë bien mbas negociatave dhe jo mbas votës së lirë dhe se një parti e madhe politike mund t’i bojkotojë zgjedhjet e mund të dalë jashtë sistemit. Ky është një gabim taktik, besoj fatal, i Bashës dhe Berishës, që kanë shpresuar se gjatë 3 muajve të çadrës do të arrijnë t’ua shpjegojnë perëndimorëve se pushteti mund të ndërrohet edhe me këto lloj mënyrash”, deklaron Minxhozi.

Alfred Lela, editor i portalit Politiko, i cili mbështetjen për protestën e ka bërë jo rrallë edhe brenda çadrës, e sheh deklaratën e Hahn si një përplasje me opozitën, por nga këndvështrimi i saj.

“Unë e shoh si përplasje të dy teorive. Teorisë së stabilitetit, që përfaqësohet nga superstruktura që quhet BE dhe teoria e demokracisë, e përfaqësuar nga opozita. Ndërkombëtarët i kanë dhënë prioritet në të gjitha herët, s’ka rëndësi se kush ka qenë në pushtet, stabilitetit në kurriz të demokracisë”, thotë Lela.

Edhe Arjan Vasjari mendon se Europa vendosi kriteret e saj mbi kriteret e çadres. Por, ndryshe nga Minxhozi dhe Lela, ai vlerëson se kjo nuk është një kundërvënie e posaçme ndaj Partisë Demokratike.

“Një shpërfaqje për të disatën herë të disa parimeve mbi të cilat funksionon BE. Që do të thotë se jashtë këtyre parimeve që janë të përmbledhura nga zoti Hahn, opozita nuk mund të veprojë. Thënë me fjalë të tjera, nuk ka ndonjë komplot kundër opozitës, nuk ka ndonjë konspiracion kundër opozitës, apo konjukturë oksidentale kundër saj”, shprehet Vasjari.

Tashmë, kur negociata s’ka, por vetëm protesta dhe ushtrim force, i vetmi akt që pritet është vendimi të enjten i Kolegjit Zgjedhor mbi vlefshmërinë e 18 Qershorit. Por Vasjari mendon se edhe kjo procedurë ka një emër humbësi.

“Nëse opozita ka përfunduar në nivelin që kauzën e saj, që është një kauzë e respektuar, ta zgjidhë përmes procedurës teknike, unë them që ajo ka humbur. Nëse Kolegji vendos ta pranojë ankesën e opozitës, në terma politikë unë them që opozita nuk do të nxjerrë asnjë përfitim prej saj”, thotë Vasjari.

Po për Lelën, që nuk e ka fshehur asnjëherë mbështetjen për opozitën, vendimi i mundshëm i Kolegjit pro kërkesës duhet të shtojë përgjegjësinë edhe për Partinë Demokratike, që të pranojë një kompromis.

“Një rrëzim i datës së zgjedhjeve nga kolegji e kthen të gjithën në fillim dhe palët do të negociojnë nga ky fillim dhe sigurisht me mend në kokë të dyja palët”, thotë Lela.

Top Channel