Gjiknuri: Ndërkombëtarët dhe populli mbështesin qeverinë tonë legjitime

12/05/2017 00:00

Në kuadër të prezantimit të kandidatëve për deputetë, njësia administrative e Shushicës dhe ajo e Orikumit ishin ndalesa e rradhës e drejtuesit politik të Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri.

Pasi prezantoi kandidatin për deputet Edmond Leka në Orikum, Gjiknuri shprehu bindjen se alternative më e mirë politike për Vlorën dhe jo vetëm është Partia Socialiste.

“Mendojeni për një moment, kush mund të bënte më shumë për Vlorën se sa është bërë tani? Çfarë alternative e shprese ka tjetër Vlora veçse Partisë Socialiste me këto që ka bërë dhe që ka demonstruar që i ka bërë?”, u shpreh Gjiknuri.

Më tej, ai komentoi edhe situatën politike dhe bojkotin e opozitës. “Zgjedhjet në 18 Qershor do të bëhen. Ka vetëm dy mënyra të rrëzohet një qeveri. E para kur nuk të do populli dhe ke një presion të madh popullor gjë që nuk ekziston, nuk them për këtu në Vlorë jo e jo por as në gjithë Shqipërinë. E dyta është kur ke një presion të madh ndërkombëtar dhe je qeveri e izoluar. Të dyja këto kushte nuk ekzistojnë. Opinioni ndërkombëtar është me qeverinë e Edi Ramës sepse është qeveri legjitime e zgjedhur dhe populli është me Edi Ramën sepse po e sheh që po bëhet punë”, insistoi Gjiknuri.

Kandidati për deputet Edmond Leka shprehu bindjen në mbështetjen e qytetarëve në 18 Qershor. “Socialistët kanë bërë shumë për Shqipërinë dhe janë të vetmit që tregojnë se mund të ndërtojnë një shtet. Vota jonë e madhe, e bashkuar me zemrat tona, në 18 Qershor do të na japin atë që ne shqiptarët të na besojnë, të na japin mundësinë të vazhdojmë ndërtimin e shtetit, të vazhdojmë të mundësojmë për shqiptarët më shumë punësim dhe më shumë mirëqenie”, u shpreh Leka.

Gjatë takimit të zhvilluar në Shushicë, kryetari i Partisë Socialiste të Vlorës Anduel Tahiraj e cilësoi të padiskutueshme fitoren e thellë të kësaj force politike në zgjedhjet e Qershorit. “Jam i sigurtë se me deputetin tonë dhe me gjithë skuadrën fituese këtu, në 18 Qershor do të dimë tu tregojmë të gjithëve rrugën e cila nuk ka më kthim dhe Orikumi, Shqipëria e Vlora do të bëhen ashtu siç ne të gjithë i duam”, theksoi Tahiraj.

Top Channel