“Fiks Fare”, pezullohet shtesa me leje në Tropojë. Banorët në rrezik

12/05/2017 00:00

Banorët e një pallati në Tropojë janë ankuar në “Fiks Fare” pasi u rrezikohet jeta nga dita në ditë, për shkak të një shtese tashmë të amortizuar mbi ndërtesën e tyre që rrezikon të shembet.

Ata kanë marrë lejen në bashki për të realizuar shtesën, por kur kanë qenë duke e ndërtuar, leja është pezulluar.

Banorët e pallatit thonë se, prej 5 vitesh kanë marrë leje në bashki për të bërë një shtesë në anë të pallatit. Ata kanë aplikuar në bashki, kanë paguar edhe tarifat e kërkuara, e kur është miratuar leja kanë nisur të ndërtojnë shtesën 6-katëshe.

Fillimisht bashkia ka dhënë lejen duke u bazuar në dokumente që tregonin se vendi ku do të ndërtohej ishte pronë publike. Por kur shtesa ka shkuar në katin e dytë, ka ardhur Përmbarimi, i mbështetur nga policia, duke bllokuar punimet, pasi ishte dhënë një masë sigurie nga gjykata për pezullimin e tyre, sepse një person pretendonte që ishte prona e tij.

Prej pesë vitesh, bashkia vazhdon gjyqin me pretendentin e pronës, por ende nuk është gjetur një zgjidhje për banorët. Banorët e pallatit thonë që kanë aplikuar sipas ligjit dhe bllokimi i punimeve ka sjellë amortizimin e pallatit, pasi ka depërtuar lagështira, ndërkohë që në atë kohë janë hequr ballkonet, pasi shtesa është integruar brenda ndërtesës ekzistuese.

Ata duan që të jepet një zgjidhje, qoftë edhe duke u shembur shtesa dhe pallati të kthehet në gjendje fillestare, por kjo rrezikon shumë për shkak të futjes së kolonave të shtesës brenda ndërtesës ekzistuese dhe heqja e tyre mund të sjellë shembjen e të gjithës.

Amortizimi i pallatit nuk është i vetmi shqetësim për banorët, pasi ata theksojnë se po u rrezikohet jeta. Ata shpjegojnë se tashmë kanë mbetur pa ballkone dhe dyert e ballkonit të nxjerrin direkt në hapësirë dhe nuk janë të mbyllura. Kjo rrezikon kryesisht fëmijët, e ndonjë prej banorëve është detyruar të ikë prej aty nga frika e ndonjë incidenti për fëmijët.

Madje një grua ka rënë nga kati i katërt dhe prej 3 muajsh ndodhet në regjim shtrati. Burri i saj rrëfen se ajo ka qenë duke ndenjur në pjesën e ballkonit, kur janë shembur trarët e skelave dhe ajo ka rënë një kat më poshtë.

Duke parë situatën e rrezikshme, në të cilën ndodhen banorët e këtij pallati në Tropojë, “Fiks Fare” shkoi edhe pranë Bashkisë për të pyetur nëse ka një zgjidhje për ta.

Drejtori i Planifikimi dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë e Tropojës, Hasan Uka tha se leja është marrë brenda të gjitha normave, por një person i ka hedhur në gjyq dhe ata nuk mund të veprojnë pa u dhënë vendimi i gjykatës.

I pyetur për koston e banorëve, ai tha se mund të përgjigjet vetëm kur të mbarojë gjyqi. Ai theksoi se edhe bashkia është për mbrojtjen e banorëve, gjithsesi nuk jep një zgjidhje të përkohshme, derisa të mbarojë beteja në të gjitha shkallët e gjyqësorit.

FOTO GALERI
3/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA