Denoncimi në “Fiks Fare”: I sëmuri dëmton varret, askush nuk merr masa

12/05/2017 00:00

I sëmuri mendor dëmton në mënyrë të përsëritur varret në fshatin Zhupan të Fierit, por asnjë institucion nuk merr masa, pavarësisht ankesave të qytetarëve. Ky fakt është denoncuar në “Fiks Fare” nga një i afërm i personave që kanë ndërruar jetë.

Islam Ali, 70-vjeçar, dyshon se dëmtimi i varreve vjen nga një bashkëfshatar i tij, i cili njihet si person me probleme mendore. Këte fakt e ka denoncuar edhe në Policinë e Fierit, por deri tani nuk është marrë asnjë masë. I moshuari kërkon sot ndihmë për zgjidhjen e këtij shqetësimi, ndryshe rrezikon të bëjë vetëgjyqësi.

Edhe pse nga ana e familjarëve varret janë rregulluar disa herë, ato janë dëmtuar sërish. Në rreth 10 varre duket qartë dëmtimi i pllakave, duke agravuar deri në zhdukjen e çdo shenje që tregon se dikush prehet në atë vend. Sipas banorëve, dëmtimi i varreve dhe vjedhja e objekteve me vlerë që ndodhen në to, si unaza apo varëse floriri, vjen nga një person që njihet si individ me probleme mendore.

Gazetarët e emisionit “Fiks Fare” takuan edhe kryetarin e fshatit Zhupan, Sami Maloku, i cili pranoi se është në dijeni që varret po dëmtohen në mënyrë të përsëritur.

“Sapo jam vënë në dijeni kam biseduar me të afërmit e Vasil Sulës, në mënyrë që të frenojnë djalin e tyre dhe të rregullojnë varrezat, duke kompensuar në këtë mënyrë të paktën dëmin financiar. Por deri më tani nuk është gjetur zgjidhje, pasi sipas tyre, Vasili, i cili njihet edhe me emrin Resmi, mohon të ketë dëmtuar varret, ndaj familjarët refuzojnë të kompensojnë dëmin e shkaktuar”, shprehet kryetari i fshatit Zhupan, ndërsa thekson se edhe Policia e Fierit është informuar mbi ngjarjen.

Mjekja që e ndjek shprehet se pacienti i saj vuan prej vitesh nga skizofrenia dhe merr kurim për këtë sëmundje. Sipas saj, pacienti është nën kujdesin e vazhdueshëm të familjes, ndërsa thekson se edhe në momentin kur u dëmtuan varret, të afërm të pacientit Vasil (Resmi) Sula janë takuar me të për t’u konsultuar mbi veprimet e tij të mundshme.

“Nuk kam vënë re gjendje të acaruar të pacientit që vuan nga skizofrenia, por unë si mjeke nuk e përjashtoj faktin se nga momenti në moment, i sëmuri mund të bëhet agresiv”, shprehet mjekja Pavlina Tylo.

FOTO GALERI
3/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA