Balla komenton letrën e Hahn: Komisioneri, mesazh për PD

12/05/2017 00:00

Kryesuesi i Partisë Socialiste në Qarkun e Elbasanit, Taulant Balla prezantoi në Gjergjan të Elbasanit, kandidatin për deputet Arben Kamami. Deputeti socialist komentoi edhe letrën e komisionerit Hahn, për të cilën tha se ishte një mesazh i qartë për Partinë Demokratike, e cila ka për synim bllokimin e zgjedhjeve.

“Partia Demokratike sot është në kushtet që ka frikë nga vota e popullit. Është në kushtet që po bën gjithçka përmes bojkotit të Parlamentit, përmes bojkotit të zgjedhjeve, për të bllokuar Reformën në Drejtësi. Që në seancën e parë të Kuvendit të ri, me votimin e qeverisë dhe marrjen e mandatit të ri të Edi Ramës për të qeverisur vendin, ne do të votojmë edhe ngritjen e komisioneve të vettingut”, tha Taulant Balla.

Prezantohen kandidatët në Laç: PS, zgjedhja e çdo shqiptari

Letrën e komisionerit Hahn e ka komentuar edhe e deleguara e Qarkut të Lezhës, Lindita Nikolla, gjatë prezantimit në qytetin e Laçit të kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në këtë qark.

“Më lejoni që të ndaj me ju paraprakisht një emocion të posaçëm, një mbështetje të madhe që Brukseli dhe Europa i kanë dhënë këtyre zgjedhjeve, duke kërkuar me vendosmëri qetësi e standarde, por edhe njohje të këtyre zgjedhjeve jashtë, dhe pavarësisht faktit se disa parti të opozitës kanë vendosur të qëndrojnë mënjanë”, tha Nikolla.

Kandidatët për deputetë të Qarkut të Lezhës, në fjalën e tyre theksuan se PS-ja duhet të jetë zgjedhja e çdo shqiptari më 18 qershor, pasi vetëm duke votuar Partinë Socialiste, secili prej tyre do të ketë një të ardhme të sigurtë.

Vasili: LSI, forcë e parë. Të rinjve u kemi dhënë besim

Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi një takim me banorë të Njësisë Administrative Nr.7 në Tiranë. Kreu i LSI-së, Petrit Vasili tha se të rinjtë kanë treguar se mund të bëjnë gjëra të mëdha dhe se janë ata që mund t’i japin Shqipërisë një ritëm të ri.

“Shqipëria ndodhet në këtë moment që do një shtysë të madhe përpara, do ritëm të ri dhe ritmin e ri do t’ia japin pikërisht ata që janë të rinj. Të rinjtë kanë treguar që janë në gjendje të bëjnë gjëra të mëdha dhe ne u kemi dhënë një besim shumë të madh atyre. Për ta çuar LSI-në forcë të parë është nevojë e Shqipërisë dhe një e mirë e madhe që ne nuk mund t’ia privojmë as LSI-së dhe as Shqipërisë. Të gjithë së bashku do ta bëjmë këtë realitet dhe e kemi bindjen si asnjëherë”, tha Petrit Vasili.

Gjiknuri prezanton kandidatët në Vlorë: Zgjedhjet, më 18 qershor

Damian Gjiknuri prezantoi kandidatin për deputet, Edmond Leka, në Orikum. Gjiknuri shprehu bindjen se alternativa më e mirë politike për Vlorën, dhe jo vetëm, është Partia Socialiste.

“Zgjedhjet më 18 qershor do të bëhen. Ka vetëm dy mënyra të rrëzohet një qeveri. E para, kur nuk të do populli dhe ke një presion të madh popullor, gjë që nuk ekziston. Nuk them për këtu në Vlorë, jo e jo, por as në të gjithë Shqipërinë. E dyta është kur ke një presion të madh ndërkombëtar dhe je qeveri e izoluar. Të dyja këto kushte nuk ekzistojnë. Opinioni ndërkombëtar është me qeverinë e Edi Ramës, sepse është qeveri legjitime e zgjedhur dhe populli është me Edi Ramën, sepse po e sheh që po bëhet punë”, tha Damian Gjiknuri.

Top Channel