PS, prezantohen në Vlorë kandidatet Vilma Bello dhe Elona Hodaj

11/05/2017 00:00

Në mjediset e Pallatit të Kulturës së qytetit të Vlorës, Partia Socialiste prezantoi kandidatët për deputetë Vilma Bello dhe Elona Hodaj, që mbulojnë rajonet nr.4 dhe nr.5.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, drejtuesi politik i Qarkut të Vlorës, Damian Gjiknuri u ndal tek transformimi që po përjeton ky qytet në sajë të investimeve të shtuara.

“Ktheni kokën prapa dhe mendoni, për mbi 20 vitet e fundit kur Vlora është ndjerë më shumë qytet? Kur ka fituar dinjitetin veçse me qeverinë e Edi Ramës, e cila ka investuar në këtë qark 300 milion euro. Po e bën Vlorën, dhe po bëhet realitet që të jetë qyteti i dytë më i rëndësishëm i Shqipërisë. E meriton sepse Vlora i ka dhënë historisë dhe jam i bindur se do të jetë qyteti ku gjithë shqiptarët do duan të jetojnë”, u shpreh Gjiknuri.

Më tej, Gjiknuri komentoi edhe zhvillimet e fundit me bojkotin e opozitës e ngujimin e saj në çadrën përpara godinës së kryeministrisë.

“Partia Demokratike ka zgjedhur të mos hyjë në zgjedhje, për fajin e saj se është një vetvrasje politike e nuk është faji ynë. Data e zgjedhjeve është e qytetarëve, nuk është një datë që e zgjedh dikush sikur po cakton dasmën dhe thotë po e shtyj se nuk jam gati. Jo, data e zgjedhjeve është një datë e përcaktuar nga ligji e Kushtetuta. Ai që do të garojë e që pretendon që ne kemi qeverisur keq e ata mirë, le të shkojë ti kërkojë votën shqiptarëve. Ajo parti që pretendon se qenka më e mirë se Partia Socialiste le të shkojë ti kërkojë votën edhe vlonjatëve e të thotë çfarë ka bërë për Vlorën”, theksoi Gjiknuri.

Ai komentoi edhe protestën e pritshme të opozitës e parashikuar për ditën e shtunë në Tiranë. “Me çfarë duket, vetëm me forma të dhunshme pretendojnë të ndalojnë rrugën e popullit shqiptar e të rrëzojnë një pushtet të ligjshëm, të votuar nga populli. Mendojnë se do kthejnë historinë prapa, mendojnë se do të trembin njerëzit që të mos dalin në votime. Unë them se është momenti për ti marrë të gjithë e për të shkuar në votime, që fitorja e Partisë Socialiste të jetë e plotë”, insistoi Gjiknuri.

Kryebashkiaku Dritan Leli ishte i qartë në mesazhin e tij drejtuar socialistëve dhe parashikimin për rezultatin e zgjedhjeve.

“Në 18 Qershor, socialistët do të fitojnë sepse ne meritojmë të fitojmë. Këtë vit, çadra e ngujimit na ka lënë përballë pa kundërshtarë por nuk duhet ta harrojmë kurrë se ata janë aty në shesh dhe janë gati që të prishin atë që ne e kemi ndërtuar me kaq mund e kaq sakrifica në këto 4 vite e që do të vazhdojmë në 4 vitet në vazhdim”, u shpreh Leli.

Kandidatja për deputete Vilma Bello premtoi angazhimin e saj për zgjidhjen e problemeve të komunitetit në rajonet nr.4 dhe nr.5. “Banorët e zonave informale, në ato pjesë të rajonit 4 apo edhe rajonit 5, për të cilët nuk është bërë gjithçka deri më tani, ju premtoj se do të jem pjesë jo thjesht e zgjidhjes magjike të problemit të tyre por e përkushtimit maksimal për të bërë çfarë mundemi për të zgjidhur sa më shumë nga problemet e tyre dhe për të qenë bashkë me ta”, premtoi Bello.

Kandidatja tjetër Elona Hodaj theksoi rëndësinë e 18 Qershorit për vazhdimësinë e investimeve. “Në 18 Qershor ne do të fitojmë për Vlorën, e cila ka nisur të jetë qendër e Shqipërisë. Në 18 Qershor ne do të votojmë për Vlorën e rilindur në investime”, insistoi Hodaj.

Top Channel