PD: Protestë paqësore. Rama nuk na zhduk dot

11/05/2017 11:55

Dy ditë përpara protestës së 13 majit, demokratët i përforcuan mesazhet se protesta e opozitës nuk ndalet, por ajo do të jetë paqësore.

Opozita e konsideron protestën e së shtunës edhe një mesazh për qëllimin që, sipas saj, ka kryeminitri.

“E kemi dëgjuar kryeministrin të thotë se si do të zhduket PD. A mund të zhduket PD? A mund të zhduket shumica e shqiptarëve? Kurrë! Më 13 maj të tregojmë se forca jonë është tek bashkimi dhe tek paqja, për fitore”, deklaroi kryetari i grupit parlamentar Edi Paloka.

Përveç se po punojnë për një pjesëmarrje të lartë, demokratët lënë të kuptohet se protesta do të përmbajë edhe forma jo të zakonta të manifestimeve politike, por deri tani drejtuesit e opozitës nuk kanë bërë publike asgjë. Megjithatë, Sali Berisha kishte një ftesë për Edi Ramën.

“Më 13 maj të ftoj të rrish në atë dritare, të garantoj që ne protestën e kemi paqësore, por për një gjë të siguroj prap, Edvin. Çadra do të të duket Everest. Aty të rrish, sepse ne jemi të vendosur në protestën tonë paqësore”, deklaroi Berisha.

Top Channel