PD, Bylykbashi: Padia e PAA legjitime. Biba të shohë Kodin

11/05/2017 00:00

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi i ka cilësuar si të pabaza dhe të motivuara politikisht deklaratat e kryetarit të KQZ, Denar Biba, se padia e PAA-së për datën e zgjedhjeve të 18 qershorit nuk ka asnjë vlerë.

“PAA është subjekt zgjedhor i regjistruar sipas procedurës së përcaktuar nga neni 64. Pikë! Pra është subjekt zgjedhor me vendim KQZ-je dhe ka të gjitha të drejtat ankimore që i jep ky Kod! Të kërcejë përpjetë kryetari Biba”, ka deklaruar Bylykbashi.

Ai ka ftuar zotin Biba që të lexojë nenin 64 për “Regjistrimin e partive politike në zgjedhje”, i cili sipas tij sqaron gjithçka.

Neni 64. Regjistrimi i partive politike ne? zgjedhje

1. Çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve.
2. Për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor për çdo lloj zgjedhjeje, një parti politike duhet të paraqesë në KQZ:
a) vërtetimin që partia është regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë;
b) emrin, mbiemrin dhe adresën e kryetarit të partisë, i cili është personi i autorizuar për të paraqitur kandidatët;
c) emrin zyrtar, shkronjat nistore dhe adresën e partisë;
ç) specimenin e vulës së partisë;
d) emrin, mbiemrin dhe adresën e financierit të partisë;
dh) emrin, mbiemrin dhe adresën e personit përgjegjës për komunikimin me KQZ-në.

“Kaq duhet dhe PAA e ka bërë këtë dhe është regjistruar. Do apo nuk do kryetari Biba, sado doktrinar të jetë, edhe po t’i bashkohet ndonjë koleg që me akt normativ ndryshon Kushtetutën, nuk e ndryshon dot Kodin”, ka shtuar Bylykbashi.

Top Channel