Dy persona, at e bir, janë arrestuar prej policisë maqedonase në lidhje me sulmin ndaj deputetit Ziadin Sela, gjatë mësymjes së dhunshme të Parlamentit më 27 prill.

Kire Georgievski dhe babai i tij, Cane Georgievski, akuzohen për tentativë vrasjeje ndaj Selës, akuza e parë dhe më e rëndë kjo në lidhje me ngjarjen tronditëse të përpara dy javëve.

Agresorët janë filmuar si nga kamerat e sigurisë së Parlamentit, ashtu edhe nga ato televizive, duke e goditur në fytyrë ligjvënësin shqiptar dhe duke e tërhequr atë zvarrë, së bashku me 3 persona të tjerë nëpër korridorin e Parlamentit, ndërkohë që deputeti ishte i përgjakur dhe i pavetëdijshëm.

Atyre u është caktuar masa e sigurisë 30 ditë paraburgim dhe janë dërguar në burgun e Shutkës, në Shkup. LSDM-ja reagoi ndaj veprimeve të ngadalshme të Prokurorisë mbi hetimin e dhunës në Parlament dhe këmbëngul se sulmuesit kanë pasur për qëllim likuidimin fizik të një pjese të ligjvënësve, përfshirë dhe vet kreun e saj, Zoran Zaev.

Ndaj një pjese të agresorëve, Prokuroria ka ngritur akuza për veprën penale “pjesëmarrje në turmë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrës”, për të cilat ligji parashikon dënime deri në 3 vite burg.

Top Channel