Kongresmenët e SHBA: Fokus, drejtësia! Të gjitha partitë në zgjedhje

11/05/2017 00:00

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë njoftoi se delegacioni i kongresmenëve, që vizitoi Shqipërinë një ditë më parë, nxiti të gjitha palët për t’u bashkuar dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre, si dhe për të vazhduar punën e vështirë të demokracisë.

Selia diplomatike e Uashingtonit njofton se, kongresmenët nënvizuan rëndësinë e zbatimit të Reformës në Drejtësi, forcimit të zbatimit të ligjit, si dhe theksuan rëndësinë që partitë të marrin pjesë në procesin demokratik.

Delegacioni i anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara drejtohej nga kongresmeni Bob Goodlatte.

Në takimet me Presidentin Bujar Nishani, Presidentin e zgjedhur Ilir Meta, ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati dhe kreun e opozitës, Lulzim Basha, ata biseduan për situatën më të fundit politike në vend, ndërsa nënvizuan partneritetin strategjik midis SHBA dhe Shqipërisë.

Reforma zgjedhore, zbatimi i Reformës në Drejtësi, rritja e buxhetit në fushën e mbrojtjes në kuadër të NATO-s dhe forcimin e sundimit të ligjit, forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si edhe lufta kundër trafikut të lëndëve narkotike dhe kultivimit masiv të drogës, ishin çështje që u diskutuan me krerët më të lartë të shtetit dhe politikës.

Po ashtu, situata në rajon ka qenë në fokus të bisedimeve, pasi kongresmenët zhvilluan një tur në disa vende të Ballkanit.

Top Channel