Hahn: Dënojmë thirrjet që minojnë të drejtën për të votuar

11/05/2017 00:00

Në letrën publike drejtuar shqiptarëve, Komisioneri Johannes Hahn u tregua i drejtpërdrejtë. Ai dënoi thirrjet për pengimin e procesit zgjedhor të 18 qershorit.

“Më lejoni që të tregohem i qartë; dënojmë fuqimisht çdo thirrje për “aksione” që do të minojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar dhe të drejta të tjera themelore. Këto “aksione” nuk mund të justifikohen dhe nuk janë në përputhje me standardet e Bashkimit Europian”, thotë Hahn.

Hahn thotë se është thelbësore për vlerat europiane, që idetë dhe propozimet politike të diskutohen brenda institucioneve demokratike, sidomos në Parlament dhe shton se kjo është theksuar në të gjitha takimet me udhëheqësit politikë të të gjitha palëve në Shqipëri.

“Në këtë këndvështrim, me lejoni të them një gjë: fakti që zgjedhjet në Kavajë nuk u zhvilluan, nuk është fitore për askënd; është një humbje për demokracinë”, shton Hahn.

Komisioneri ka edhe një paralajmërim.

“Udhëheqësit që do të përpiqen të minojnë aspiratat legjitime të popullit shqiptar për një të ardhme më të mirë do të mbajnë përgjegjësi”, shkruan Hahn.

Top Channel