Eurovisioni/ Agim Doçi: Jam kundër importit të këngëtarëve

11/05/2017 00:00

Skualifikimi i Shqipërise nga gara europiane e këngës, për tekstshkruesin Agim Doçi, lidhet drejtëpërsëdrejti me importin e këngëtarëve të përzgjedhur për të shkuar në këtë garë.

Pjesëmarrës dy herë në Eurovision, si autor i këngës së Anjeza Shahinit e Kejsi Tolës, Doçi thotë se interpretimi i mrekullueshëm i Linda Halimit nuk ka mjaftuar për ta çuar Shqipërinë në finale.

“Nuk u skualifikua Linda Halimi. U skualifikua Shqipëria dhe kjo na dhemb të gjithëve. E ndoqa me shumë interes dhe me ato që quhen “ethe” artistike, por pasi pashë të gjitha vendet konkurruese, vura re se ato që hynë në dhjetëshe për të shkuar në finale, ishin këngë më të bukura sesa ajo e kompozitorit Qafoku. Nuk më pëlqen një fakt: importi i këngëtarëve që shkojnë në këtë garë. Ne kemi këngëtarë të mrekullueshëm këtu, që mund ta përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë”, thotë poeti.

Për një përfaqësim sa më dinjitoz, Doçi thotë se zgjidhja do të ishte një testim paraprak.

“Para se të shkojmë në Eurosong, të bëhet një test, cila këngë, edhe nga Nata Finale e Radio Televizionit Shqiptar, të zgjidhen disa këngë e të bëhet një pasfestival me mjeshtra të muzikës, të cilëve nuk u del emri në festivalet europiane të korifejve të muzikës, tekstit, orkestracionit dhe interpretimit”, tha Doçi

Një faktor tjetër në disfavor të Shqipërisë, duket të ketë qenë edhe mënyra e konkurrimit, e cila parashikon që vetëm shqiptarët që jetojnë në vendet konkurrente të natës së parë, mund të votonin për Shqipërinë.

“Ka lobingje pa dyshim në festivalet europiane, sepse komuniteti sllav voton për vete, shqiptarët në botë ndoshta kanë halle dhe telashe të tjera, që s’u bie në mend  që të lëshojnë sms-në në dobi të Shqipërisë. Jam i trishtuar që skualifikohet Shqipëria, sepse ka pasur raste kur është shquar përballë 54 vendeve. Ne prapë këngën do ta çojmë, do ua vëmë njerëzve në buzë, siç ka thënë Agim Prodani “kemi artistë, të cilët dinë ta çojnë Shqipërinë dhe flamurin e saj, në këtë arenë europiane”, u shpreh poeti Agim Doçi.

Fati i keq i Shqipërisë, të cilës i ra shorti krah Qipros, Australisë, Armenisë, Polonisë apo Portugalisë, ku prezenca e shqiptarëve nuk është e konsiderueshme. Fakt mbetet që finalen e Eurovision, shqiptarët brenda e jashtë Shqipërisë do të duhet ta ndjekin përmes ekranit, duke bërë ndoshta tifo për shtetet e mbetura në garë, e duke shpresuar për një rezultat më të mirë për Shqipërinë, vitin e ardhshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA