“Der Spiegel”: Gruevski, përgjegjësi i krizës në Maqedoni

11/05/2017 00:00

“Der Spiegel” e kthen sërish vëmendjen tek Maqedonia me një tjetër artikull të kushtuar situatës së brishtë në atë që e përjavshmja e njohur gjermane e përshkruan si shtetin më të brishtë të momentit në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Pas zgjedhjes në krye të Parlamentit maqedonas dhe pas vendosjes në zyrën e drejtuesit të këtij institucioni, Talat Xhaferi, thuhet në shkrim, vendosi tre simbole: atë të Maqedonisë, të Bashkimit Europian dhe atë shqiptar, një gjest i cili shkaktoi reagime të mëdha në opinion.

Duke theksuar frikën “nga fantazma e Shqipërisë së Madhe”, revista citon analistë vendas të kujtojnë se përsa kohë Marrëveshja e Ohrit nuk zbatohet plotësisht dhe nuk garantohen të drejtat e shqiptarëve këta të fundit nuk do t’i shohin institucionet shtetërore si të vetat.

“Përgjegjësinë për krizën e mban Nikolla Gruevski dhe partia e tij VMRO-DPMNE. Gruevski në dhjetë vitet e fundit qeveriste me një autoritet mbretëror, duke i imponuar vendit ideologjinë nacionaliste”, vazhdon artikulli, i cili u referohet disa opionistëve shqiptarë në Maqedoni.

Revista ndalet edhe në skenarin që shfrytëzon Presidenti Gjorgje Ivanov për të mos dhënë mandatin e krijimit të qeverisë së re. Sipas diplomatit dhe juristit Nikolla Dimitrov, narracioni etnik po përdoret me qëllimin të tërhiqet vëmendja e opinionit maqedonas nga strukturat autoritare të partive që ishin në pushtet.

“Aktivistët e të drejtave të njeriut kujtojnë për Der Spiegel sesi në protestat kundër regjimit të Gruevskit ishin afruar të gjitha bashkësitë etnike. Shpresat e tyre janë që pushtetarët të mos e thyejnë këtë energji pozitive bashkimi dhe të lejojnë një hapësirë për nxitjen e marrëdhënieve ndëretnike”, vijohet në artikullin e “Der Spiegel”.

Top Channel