Biba: Padia nuk qëndron. PAA nuk është subjekt zgjedhor

11/05/2017 00:00

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba, duke treguar nenet e Kodit Zgjedhor shpjegon se padia e opozitës për 18 qershorin nuk legjitimohet.

Kolegji Zgjedhor e caktoi trupën gjykuese për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Agrare Ambientaliste, e vetmja aleate e PD e cila është regjistruar për zgjedhje, por që nuk paraqiti listë kandidatësh.

“Është fakt i njohur botërisht dhe i provuar faktikisht që PAA, ndonëse ka paraqitur kërkesë në KQZ për t’u regjistruar në zgjedhjet për Kuvendin të datës 18 qershor 2017, në vijim ka paraqitur kërkesë për t’u çregjistruar dhe nuk ka paraqitur listë kandidatësh as më herët, e as në datën 29 prill, që ishte edhe afati i fundit i parashikuar nga Kodi Zgjedhor, i përllogaritur publikisht sipas formulës së përdorur më së paku që nga zgjedhjet e vitit 2009. Automatikisht PAA nuk mund të konsiderohet si subjekt  zgjedhor për shkak të ligjit dhe për pasojë nuk legjitimohet që të paraqesë ankimim në Kolegjin Zgjedhor, pasi ankimim kanë të drejtë të bëjnë vetëm “subjektet zgjedhore” dhe të tillë janë vetëm  ata që paraqesin listë kandidatësh”, thotë kreu i KQZ-së, Denar Biba.

Biba kujton nenin 145 të Kodit Zgjedhor për të drejtën e ankimit në gjykatë. Në Kod përcaktohet se subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit në Tiranë kundër vendimeve të KQZ-së, kur ato cënojnë interesat e tyre të ligjshme brenda afatit të përcaktuar në nenin 152 të këtij Kodi.

Biba perifrazon edhe nenin 63 për të provuar qëndrimin e tij për PAA-në, kur thotë se nuk cilësohet si subjekt zgjedhor, në të cilin nënvizohet se subjekt zgjedhor është një parti politike, ose një koalicion partish politike, të cilët paraqesin listë kandidatësh sipas rregullave të përcaktuara në Kod.

Për Bibën, Partia Agrare Ambientaliste nuk ka asnjë të drejtë ligjore të bëjë një ankimim të tillë.

Reagimi i plotë:

Dëgjova për ankimin e paraqitur nga Partia Agrare Ambjentaliste (PAA) në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë, me objekt: “Kundërshtimi i vendimeve të KQZ…”.

Është fakt i njohur botërisht dhe i provuar faktikisht që PAA, ndonëse ka paraqitur kërkesë në KQZ për tu regjistruar në zgjedhjet për Kuvendin, të datës 18 qershor 2017, në vijim ka paraqitur kërkesë për tu çregjistruar dhe nuk ka paraqitur listë kandidatësh as më herët e, as në datën 29 prill 2017, që ishte edhe afati i fundit i parashikuar nga Kodi Zgjedhor (KZ), i përllogaritur publikisht sipas formulës së përdorur më së paku që nga zgjedhjet e vitit 2009.

Automatikisht, PAA nuk mund të konsiderohet si subjekt zgjedhor, për shkak të ligjit dhe, për pasojë, nuk legjitimohet që të paraqesë ankim në Kolegjin Zgjedhor, pasi ankim kanë të drejtë të bëjnë vetëm “subjektet zgjedhore” dhe të tillë janë vetëm ata “të cilët paraqesin listë kandidatësh” (nenet 145/1 e 63/1 të KZ).

Në vijim legjislacioni përkatës:

Neni 145

E drejta e ankimit në gjykatë

Subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, Tiranë kundër vendimeve të KQZ-së, kur ato cenojnë interesat e tyre të ligjshëm brenda afatit të përcaktuar në nenin 152 të këtij Kodi.
Neni 2 Përkufizime

“Subjekte zgjedhore” janë partitë politike, koalicionet dhe kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, si dhe kandidatët për kryetarë të organeve të qeverisjes vendore, të regjistruar në përputhje me këtë Kod.
PJESA IV “REGJISTRIMI I SUBJEKTEVE ZGJEDHORE”

Neni 63 Subjektet zgjedhore dhe kandidatët

Subjekt zgjedhor është një parti politike ose një koalicion partish politike, të cilët paraqesin listë kandidatësh, sipas rregullave që përcaktohen në këtë Kod.

Top Channel