PD: 18 Qershori, në gjyq. Kolegji Zgjedhor të ketë kujdes

10/05/2017 11:55

Çdo listë e dorëzuar në KQZ është e jashtëligjshme dhe procesi është në kolaps ligjor, deklaroi Basha nga çadra e protestëës gjatë kësaj të mërkure.

Partia Demokratike dhe aleatët e saj ndërmorën edhe një hap të fundit, që nëpërmjet një vendimi teknik të KQZ-së për llogaritjen e afateve të dorëzimit të listave, që opozita e konsideron të gabuar, të arrijnë në një zgjidhje politike duke delegjitimuar datën 18 Qershor.

Për të arritur këtë, opozita ka përdorur mundësinë e vetme që i ka mbetur brenda sistemit, ankimimin në Kolegjin Zgjedhor nëpërmjet Partisë Agrare. Partia e Agron Dukës është i vetmi subjekt opozitar i regjistruar në zgjedhje dhe sigla e tij është përdorur për të përfaqësuar opozitën në Kolegjin Zgjedhor, me argumentin se dita e fundit për dorëzimin e listave ishte 28 prilli dhe jo data 29, kur ky veprim u krye nga partitë pjesëmarrëse në zgjedhje.

Kur bëri llogaritë me afatin 50-ditor përpara datës së zgjedhjeve, Lulzim Basha nuk kurseu as ndërkombëtarët.

“Të gjithë dini të numëroni deri në 50. Edi Rama dhe serumet që e mbajnë në këmbë ‘Made in Albania’ apo kudo që bëhen, apo ‘Made in Soros’. Ata nuk e thonë një fjalë për skadimin e datës ligjore zyrtare për zgjedhjet. Nuk e thonë, duan ta anashkalojnë dhe shpresojnë që me presione ndaj Kolegjit Zgjedhor do t’i thonë shqiptarëve, që një edhe një nuk bëjnë dy, por bëjnë një. Se 17+31+2 nuk bëjnë 50, por bëjnë 51”, deklaroi Basha.

Vendimi i Kolegjit duhet të merret brenda 10 ditësh dhe vendimmarrja e tij konsiderohet prej Lulzim Bashës si momenti kur ndahet se cilat do të jenë veprimet e ardhshme të opozitës.

“Data e vendimmarrjes është data kur shqiptarët do ta dinë nëse fundi i pashmangshëm, i paevitueshëm i republikës së vjetër do të jetë një proces i një konsensusi, i një mundësie për gjithëpërfshirje edhe për mëkatarët e republikës së vjetër, apo do të jetë nisja, fillimi i lëvizjes popullore për mosnjohjen, mospranimin dhe rrëzimin e çdo ligji, e çdo institucioni të republikës së vjetër përmes mosbindjes civile dhe akteve të tjera të rezistencës dhe qëndresës paqësore dhe demokratike”, tha Basha.

Një qëndresë të tillë, opozita ka paralajmëruar të shtunën, por detajet për protestën janë ende të rezervuara.

“Ditën e shtunë, së bashku do të shpallim nga ky shesh falimentimin e republikës së vjetër dhe themelimin e Republikës së Re”, u shpreh Basha.

Top Channel