Je gay? Merr azil në Britani. Shumë shqiptarë “të dëbuar padrejtësisht”

10/05/2017 00:00

Mësohet se disa qindra azilkërkues shqiptarë gay dhe lesbikë, apo njerëz të trafikuar e viktima të dhunës në familje, që kanë kërkuar strehim në Britaninë e Madhe, mund të jenë rikthyer gabimisht në Shqipëri, pasi kërkesat e tyre për azil janë refuzuar mbi kritere të vjetëruara për rastet e tyre, edhe pse ka ekzistuar një vendim i Gjykatës britanike të Apelit pro kësaj kategorie azilkërkuesish.

“The Guardian” njofton se në tetor të vitit 2011, Gjykata e Apelit në Londër ka vendosur se gjykatat e emigracionit dhe Ministria e Brendshme dhe e Emigracionit, “Home Office”, nuk mund të mbështetej në evidencën dhe provat e ekspertëve të përdorura më herët, ku theksohej sipas tyre se ishte e sigurtë që azilkërkuesit shqiptarë gay dhe lesbikë, apo të trafikuar, mund të riktheshin në mënyrë të sigurtë në Shqipëri.

Sipas gazetës, në bazë të vendimit të një dite më parë, “shumë shqiptarë, viktima të trafikimit dhe dhunës në familije dhe ata që kanë bërë kërkesa për azil në Britani bazur në orientimin e tyre seksual, mund të bëjnë tashmë kërkesa të reja për azil, nëse ende janë në Britani dhe nëse rastet e tyre janë refuzuar në bazë të evidencave të ekspertëve. Ata që janë rikthyer në Shqipëri pas refuzimit të kërkesës për azil, ndërkohë mund t’i jenë nënshtruar persekutimit”, shkruan gazeta britanike.

Një numër i konsiderueshëm azilkërkuesish nga Shqipëria kanë kërkuar azil për shkak të orientimit të tyre seksual dhe si viktima të trafikimit apo dhunës në familje, ku jo pak kanë fituar rastet e azilit, ashtu si edhe shumë të tjerëve u është refuzuar kërkesa, por me vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit u shtohen shpresat atyre që janë ende në Britani, ose atyre që do të kërkojnë këtej e tutje azil, në varësi të vërtetësisë së rasteve individuale.

Sipas avokatëve që çuan këtë rast në Gjykaten britanike të Apelit, kurrë më parë nuk ka ndodhur një praktikë e tillë e injorimit të vendimit të Gjykatës se Apelit. Ndërkohë, një zëdhënës i  organizatës së bamirësisë “Asylum  Aid” tha se “është alarmante që ‘Home Office’ ose Ministria e Emigracionit ka marrë vendime kaq të rëndësishme për jetën e azilkërkuesve, duke përdorur informacione të pasakta”. Këto gabime u parashtruan në një vendim të ri të Gjykatës së Apelit, ditën e martë në Londër, njofton prestigjiozja “The Guardian”.

Pavarësisht këtij vendimi të Gjykatës së Apelit, gjykatat britanike të emigracionit vazhduan të aplikonin kriteret e vjetra në vendimmarrjet e tyre, që nga 2011 e deri më sot, për rastet e azilit për këtë kategori azilkërkuesish.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta