Bojkoti, Brookings: 96% e partive shkatërrohen

10/05/2017 00:00

Bojkoti i zgjedhjeve është një thikë me dy presa, por duket se vetëm tehu përballë bojkotuesit është i mprehur mjaft mirë.

Ky është rezultati i një studimi të kryer nga instituti Brookings në SHBA, në të cilin analizohen 171 bojkote zgjedhjesh në të gjithë botën në një periudhë nga vitit 1990 e deri në 2009-n.

Autorët e raportit dalin në përfundimin se në 96% të rasteve, partitë që kanë zgjedhur të bojkotojnë zgjedhjet në vendin e tyre janë shpërbërë ose kanë humbur peshën e tyre politike pas zgjedhjeve.

Për më tepër, në të gjitha rastet kur zgjedhjet janë mbajtur pa ata që i kishin bojkotuar, SHBA apo faktorë të tjerë ndërkombëtarë, kanë njohur rezultatin, edhe kur në disa raste pjesëmarrja ka qenë vetëm 10%.

Analiza ka titullin domethënës “Kërcëno por merr pjesë! Pse bojkoti i zgjedhjeve është një ide e keqe”. Sipas studimit, bojkoti i zgjedhjeve është e qartë që nuk jep asnjë rezultat në pjesën më të madhe të rasteve, por ai njihet si një mjet i mirë për t’u përdorur si levë për të marrë konçesione nga pala qeverisëse, nga ku vjen dhe pjesa e parë e titullit të tij.

Në raport theksohet se në rastet e pakta kur bojkoti ka pasur sukses, vetëm 4%, kjo taktikë ka qenë thjesht një prej faktorëve të shumtë në një strategji më të gjërë, ku rolin kryesor e ka luajtur mbështetja e madhe popullore dhe ndërkombëtare për palën bojkotuese.

Përmes shembujsh nga më të ndryshmit në vende dhe situata nga më të larmishmet, raporti tregon qartë se bojkoti i zgjedhjeve është një vetëvrasje politike për partinë që vendos ta përdorë deri në fund dhe jo ta shfrytëzojë si një mjet për lëshime nga rivalët politikë.

Top Channel