Meta: Nuk është vonë për zgjidhje të përgjegjshme

09/05/2017 00:00

Në Ditën e Europës, Kuvendi i Shqipërisë hapi dyert për të gjithë qytetarët, të cilet donin të shihnin nga afër punën e këtij institucioni.

Në fjalen e tij, kryeparlamentari Ilir Meta rikthesoi dhe njëherë nevojën për dialog dhe gatishmërinë e tij për ta mundësuar atë.
 
“Vendit tonë i duhet më tepër përgjegjshmëri dhe jo egoizëm, më tepër dialog e me pak arrogancë, më shumë qetësi, stabilitet, investime dhe natyrisht mundësi punësimi e barazi sociale, duke vendosur interesat e vendit dhe të ardhmen europiane si prioritet i axhendave politike. Asnjëherë nuk është vonë të gjejmë zgjidhjen e përgjegjshme. Nuk do të rresht kurrë përpjekjet e mia për dialog dhe kompromis”, tha z. Meta.

Në fjalën përshëndetëse, Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, siguroi dhe njëherë se BE është e angazhuar të mbështes Shqiperinë në rrugën integruese.

“Bashkimi Europian nisi si ëndrra e disave për t’u bërë shpresa e shumëve. Këto fjalë nga Deklarata e Romës në Marsin e kaluar janë veçanërisht të vërteta këtu në Shqipëri ku njerëzit që besojnë Bashkimin Europian dhe e duan Shqipërinë të bëhet anëtare, janë të shumtë në numër. Kjo na jep në një përgjegjësi shumë të madhe dhe na tregon se jemi duke bërë gjënë e duhur duke mundësuar mbështetje për Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Çdo gjë që ne si Bashkim Europian bëjmë këtu në Shqipëri, është për qytetarët e Shqipërisë që të marrin mbështetje për të ndryshuar institucionet dhe shoqërinë për më mirë”, tha znj. Vlahutin.

Top Channel