Bregu: Çadra nuk zëvendëson Parlamentin

09/05/2017 00:00

Paketa McAllister për Majlinda Bregun ishte e vetmja që do të zgjidhte krizën politike në vend. Në një bashkëbisedim me studentët e UET-së, ajo e konsideroi gabim të rëndë refuzimin e saj nga ana e Partisë Demokratike.

“Për mua, refuzimi i asaj marrëveshjeje ishte një gafë shumë e madhe politike sepse në asnjë marrëveshje nuk do të marrësh dot 100%. Por, për të krijuar një lloj garancie dhe nga ana tjetër, jo vetëm data e shtyrjes së zgjedhjeve, por edhe për t’i dhënë mundësi zbardhjes dhe vënies përpara përgjegjësisë të atyre personave që ne i kemi akuzuar për trafikun e drogës. Pra, përfshirjen e policisë në trafikun e drogës e të tjera me radhë. Edhe largimi i disa ministrave kyç në qeveri. Do t’i jepte një lloj sigurie edhe votuesit më të thjeshtë për tu drejtuar te qendra e votimit”, tha deputetja demokrate.

PD duhet të hyjë në zgjedhje për Maljinda Bregun, për të mos e lejuar Edi Ramën që të vendosë pushtetin e tij absolut pas 18 qershorit. Ajo sqaroi se në një Parlament vetëm me socialistë, kryeministrit Edi Rama do t’i duheshin vetëm 6 muaj të emëronte njerëzit e tij në të gjitha postet kyçe të shtetit.

“I duhen vetëm 6 muaj për të instaluar një pushtet të frikshëm, siç nuk e ka pasur askush tjetër në Shqipëri”, deklaroi Bregu.

Për ish-ministren e Integrimit, çadra nuk e zëvendëson Parlamentin dhe PD po dëmtohet shumë nëse nuk futet në zgjedhje.

“Unë do të doja që nga kjo situatë të dalë pa kosto Partia Demokratike dhe të ketë mundësi që të jenë të qarta loja dhe manovrat politike që mund të jenë bërë në kurriz të pjesëmarrjes së Partisë Demokratike në zgjedhje. Kam frikë se po shkojmë drejt një periudhe që do të jetë shumë e vështirë për të gjithë”, u shpreh Bregu.

Një ndër zërat më kritikë brenda PD-së, nuk mendon se kriza do të gjejë një zgjidhje.

Top Channel