Xhafaj: Segmente policie, të lidhura me hashashin. Problemi zgjidhet në 2017

08/05/2017 00:00

“Segmente ose individë të veçantë të policisë së shtetit, kanë qenë të lidhura me kultivimin dhe trafikun e hashashit, ose janë paguar për heshtjen e tyre, ose kanë bashkëpunuar. Mendoj se disa nga drejtuesit e policive vendore, minimalisht kanë heshtur për këtë gjë”, tha ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Deklarata e fortë e Ministrit të ri të brendshëm, u bë në ‘Top Story’, në intervistën e parë që nga marrja e detyrës.

Ai pohoi për herë të parë se edhe një pjesë e lëvizjeve në strukturën e policisë, janë bërë në kuadër të luftës kundër hashashit. “Po,  një pjesë e ndryshimeve është lidhur edhe me nevojën e luftës kundër kanabisit”, pranoi Xhafaj. 

I pyetur nga drejtuesi i emisionit, në lidhje më 12 tonët e kanabisit, të kapura në Përmet dhe ‘a mund të ndodhte kjo në atë vend, pa dijeninë e policisë?’, ministri Xhafaj iu përgjigj: “Absolutisht jo”!

Por pse jemi në këtë pikë të rritjes së kultivimit të kanabisit në Shqipëri? Xhafaj ka këtë këndvështrim: “Ka një shtrirje të veprimtarisë kriminale në territor, pra nga një e qendërzuar, me një territor të mirëpërcaktuar, të njohur, i cili ishte edhe qendra e prodhimit dhe shpërndarjes së kanabisit, për shkak të goditjes së saj, patëm një rigjallërim të strukturave të grupeve të tjera kriminale në territor, për të zëvendësuar këtë veprimtari”.

Ai mohon akuzat e opozitës se paratë e drogës do të përdoren për të blerë zgjedhjet, pasi thotë se ky nuk është një aktivitet i qeverisë.

“Si shpjegohet që, megjithse zoti Basha e kishte Lazaratin, shtëpinë e dytë të Partisë Demokratike, në qarkun e Gjirokastrës dhe Gjirokastrën e fitonte Partia Socialiste? Si shpjegohet, që megjithse zona e Dukagjinit është një vatrat kryesore të kultivimit të kanabisit dhe ne sërish e humbëm bashkinë e Shkodrës?

Xhafaj flet për strategjinë Kombëtare të Luftës ndaj kanabisit, ndërsa thotë se më 15 maj do të nisë monitorimi i ri nga ajri, i të gjithë territorit, që do të ndërthuret me aksionin e policisë në terren.

Top Channel