Xhafaj në Top Story: Një pjesë e ndryshimeve në Polici për të luftuar kanabisin

08/05/2017 00:00

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj pranoi në Top Story këtë të hënë se një pjesë e ndryshimeve në Policinë e Shtetit lidhen me luftën kundër trafikut dhe kultivimit të kanabisit.

Top Channel ka hapur një sondazh në faqen e internetit, ku 62 përqind e lexuesve kanë lidhur këto ndryshime me luftën kundër hashashit dhe 38 përqind kundër.

Pyetjes së Sokol Ballës në lidhje me këtë, Fatmir Xhafaj iu përgjigj.

“Një pjesë e ndryshimeve është e lidhur me nevojën e luftës kundër kultivimit të kanabisit”, tha ministri i Brendshëm.

Xhafaj tha se vendimi për të marrë këtë post ishte vendimi më i vështirë në karrierën e tij politike. Ai nuk mohoi se emrin e tij e kanë kërkuar edhe ndërkombëtarët në krye të rendit dhe u shpreh se po të mos kishte mbështetjen e ndërkombëtarëve nuk do ta pranonte këtë post.

Ministri i Brendshëm u pyet për rastin konkret të Përmetit, ku u zbuluan në një magazinë 12 tonë hashash. “A mund të ndodhë kjo pa dijeninë e policisë?”, ishte pyetja e Sokol Ballës.

“Absolutisht që jo dhe kjo është shqetësuese dhe kjo ëshë arsyeja, që qoftë në Lezhë, në Skrapar, kur janë konstatuar dukuri të tilla janë marrë masa të ashpra ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit”, u përgjigj Xhafaj.

“Individë të veçantë të policisë janë paguar për heshtjen e tyre, ose kanë qenë pjesë e këtij presioni që është ushtruar nga grupet kriminale. Është blerë, ose heshtja, ose bashkëveprimi i tyre në territor. Mendoj që edhe disa nga drejtuesit e policive vendore kanë heshtur për këtë gjë”, vijoi Xhafaj.

Top Channel