Flet për protestën e 13 majit, Basha: Jo votim monist

08/05/2017 00:00

Lulzim Basha foli edhe sot nga çadra e protestës, për protestën që do të organizojë Partia Demokratike më 13 maj.

“Edi Rama ka disa ditë që flet për destabilizimin e Shqipërisë. Në fakt, Edi Rama e destabilizoi Shqipërinë me themele në këto 4 vite. Projekti i tij i vetëm politik ishte dhe mbetet shkatërrimi i zgjedhjeve, diktimi i Parlamentit dhe qeverisë së ardhshme jo nga vota juaj, por nga krimi dhe droga në pushtet. Nuk ka nevojë asnjë kundërshtar i Shqipërisë të fusë duart dhe të bëjë diçka për Shqipërinë, sepse të gjitha të zezat ia bën Edi Rama, nga A te ZH. Investimi i vetëm i atyre që nuk duan përparimin e Shqipërisë, investimi më i zgjuar i tyre është të mbajnë në pushtet Edi Ramën, me çdo kusht, sepse kështu ia bëjnë gropën Shqipërisë dhe shqiptarëve, të djathtë e të majtë”, ka deklaruar Basha.

“Kjo është historia e 4 viteve që shkuan dhe që mbyllet përfundimisht më 18 qershor. Votim monist më 18 qershor nuk do të ketë. Votim pa opozitën nuk do të ketë. Parlament të diktuar nga krimi dhe droga nuk do të ketë. Më 13 maj nisim marshimin për ta institucionalizuar, për ta bërë realitet ligjor, kushtetues, kombëtar, Republikën e re të qytetarëve shqiptarë. Ne njohim e do të njohim vetëm këtë republikë të re. Bëhuni pjesë e konsensusit, ose përballuni me popullin”, shtoi më tej kreu i PD-së, Basha.

Top Channel