Veliaj: “Tirana ime”, histori suksesi. 11 mijë raportime në një vit

06/05/2017 00:00

Brenda një viti në aplikacionin “Tirana ime” kanë mbërritur 11 mijë raportime nga qytetarët, çka për kryebashkiakun Veliaj është një histori suksesi.

“Jemi të destinuar të jemi kreativë në përdorimin e mjeteve të tilla si “Tirana Ime”, si mënyrë efikase për të zgjidhur problematikat e qytetit. Kemi kaluar nga thjesht të qenit të zënë me punë, në të bërit punë konkrete, që i përgjigjen një nevoje konkrete dhe mandej të raportohet si një rezultat. Kemi pasur rreth 11 mijë raportime, nga të cilat 9 mijë janë zgjidhur ose janë në rrugë të zgjidhjes. Kurse, 2 mijë të tjera nuk kanë qenë pjesë e punës së bashkisë dhe janë referuar në agjenci të tjera. Besoj se kjo normë është një histori suksesi, e cila mund të pasurohet edhe me shërbime të tjera”, tha Veliaj.

Ai theksoi se për herë të parë në aplikacionin “Tirana Ime” është shtuar edhe opsioni i parkimit me SMS.

“Për herë të parë në aplikacionin “Tirana Ime” kemi shtuar opsionin e parkimit me SMS, ku mjafton të dërgosh nga platforma një SMS me targën tënde dhe automatikisht ke parkuar një orë në 30 rrugët kryesore të qendrës së Tiranës”, tha Veliaj, duke shtuar se aplikacioni do të pajiset edhe me mundësinë për të paguar faturat elektronike dhe hartën e linjave të autobusit.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se falë këtij aplikacioni dhe bashkëpunimit të qytetarëve që raportojnë, janë përmirësuar edhe infrastruktura edhe shërbimet.

Top Channel