“Të gjithë për një” mbjellin pemë tek Parku i Liqenit

06/05/2017 00:00

Të tjera pemë i janë shtuar sot Parkut të Madh të Liqenit Artificial duke kontribuar në shtimin e  hapësirave të gjelbra të kryeqytetit. Por ndryshe nga rastet e mëparshme, ata që kanë ndihmuar këtë herë në mbjelljen e pemëve të reja kanë qenë fëmijët e vegjël të emisionit që transmetohet nga Top Channel, “Të Gjithë Për Një”.

Në 27 dhjetor, fëmijët sëbashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj morën pjesë në quiz show-n më të ndjekur duke vënë në provë memorien dhe dijet duke iu përgjigjur pyetjeve dhe fituar çmimin prej 600 000 lekësh, të cilën premtuam që do ta përdornin në shërbim të qytetit të tyre për rritjen e gjelbërimit.

I pranishëm në mbjelljen e fidanëve të rinj, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i shoqëruar dhe nga fëmijët e ekipit të tij pjesëmarrës në konkurs, theksoi se ky është një premtim i mbajtur.  

“Ne jemi shumë të lumtur sot që të gjithë bashkë në datën 27 dhjetor mbajtëm fjalën. Ne fituam disa para në Top Channel te “Të gjithë për një” dhe premtuam që sapo ne të merrnim fitimet e lojës tonë, të gjithë bashkë e morëm si vendim, si skuadër, që do t’i shpenzonim duke mbjellë pemë dhe shkurre dekorative te parku i liqenit. Kështu që ne jemi këtu që ne të mbajmë fjalën sepse unë besoj që gjithë çunat dhe gocat në Shqipëri që janë të mirë duhet të mbajnë fjalën që kanë dhënë. Meqë ne i dhamë fjalën gjithë publikut, sot jemi këtu që t’i mbjellim”, tha Veliaj.

 Kreu i Bashkisë ftoi të gjithë qytetarët dhe veçanërisht fëmijët që për të përkujtuar ditëlindjet apo gëzimin me një vëlla apo motër, të kontribuojnë për zbukurimin e qytetit të tyre.

“Të gjithë dëshmitarët mund të vijnë dhe ta verifikojnë që ne si skuadër e kemi mbajtur fjalën edhe ftojmë të gjithë fëmijët e tjerë që në qoftë se kanë një ditëlindje ose në qoftë se bëhen me një vëlla apo me një motër, t’i kujtojnë ata duke mbjellë një pemë, duke mbjellë një lule, duke mbjellë një shkurre dekorative se edhe qyteti bëhet më i bukur kur kontribuojnë të gjithë edhe jo vetëm disa njerëz që e kanë për detyrë këtë punë”, tha ai.

 Por ambicia e kryebashkiakut Veliaj dhe e fëmijëve të vegjël nuk ndalet këtu. Pas suksesit të arritur herën e parë, kryebashkiaku Veliaj dhe fëmijët shprehin sërish dëshirën për të marrë pjesë në quiz show-n “Të Gjithë Për Një”, ku me lekët e fituara, të kontribuojnë për mbjelljen e pemëve të reja në një tjetër zonë të kryeqytetit. “Tani që na shkoi me sukses kjo ndoshta duhet të bëjmë edhe një lojë tjetër, të fitojmë edhe ca lekë të tjera edhe pastaj të mbjellim prapë”, theksoi Veliaj.

Top Channel