Meta: Rinia, forcë kryesore e transformimeve të Shqipërisë

06/05/2017 00:00

Për ish kryetarin e LSI-së Ilir Meta rinia është forca kryesore e ndryshimeve dhe transformimeve të Shqipërisë.

Ai është takuar me të rinjtë e LRI-së në njësinë nr. 4 në Tiranë, ku ishin të pranishëm dhe kryesuesit e listës së kandidatëve për kryeqytetin, Klajda Gjosha, Floida Kërpaçi dhe Endrit Brahimllari.

“Forca kryesore e ndryshimeve, e transformimeve të Shqipërisë në të gjitha kohërat ka qenë rinia dhe nuk mund të jetë ndryshe. Nuk ka forcë më të madhe, nuk ka fuqi më të madhe, nuk ka shpresë më të madhe për një popull se sa ëndrrat e fëmijëve dhe të të rinjve. Fuqia e LSI-së është solidariteti. Fuqia e LSI-së është rinia, dhe fuqia e vërtetë e rinisë është bashkimi i saj i cili është i konkretizuar kaq mirë dhe kaq bukur tek Lëvizja Rinore për Integrim”, – u shpreh ish-Kryetari Meta.

Kryesuesja e listës së kandidatëve për deputetë të LSI-së për qarkun Tiranë, Klajda Gjosha, njëkohësisht Kryetare e LGI-së, deklaroi përpara të rinjve të Njësisë administrative nr. 4, se politika nuk është një lojë, por ka në dorë jetën e çdo qytetari dhe kërkon sakrifica të mëdha dhe përgjegjësi.

Top Channel