Basha: Rama do të ndëshkohet, s’ka mbajtur premtimet

06/05/2017 00:00

Lulzim Basha do të donte që të debatonte direkt me Edi Ramën, por në kushtet e refuzimit nga kryeministri, siç thotë, për shkak të mosmbajtjes së premtimeve, kreu i opozitës beson tek gjykimi i shqiptarëve.

“Se më 25 qershor është dita e llogaridhënies për 300 mijë vendet e punës që nuk i hapi, për taksat që i rriti, për faturën e energjisë që e rriti, për shëndetësinë në kolaps, për qindra premtime me të cilat mori votat dhe braktisi qytetarët”, tha Lulzim Basha.

Në takimin me banorët e njësisë 4 dhe 8 në Tiranë, Basha u fokusua tek programi ekonomik i opozitës, që bazohet tek taksa e sheshtë 9 përqind.

“Ky do të jetë prioriteti i parë. Vendimi më i rëndësishëm. Vendimi im i parë do të jetë ulja e taksave dhe çlirimi i qindra milionë euro në ekonomi. Vetëm ulja e TVSH do të mundësojë 400 mln euro konsum, i bie mesatarisht 400 euro më shumë për familje konsum i rritur çdo vit”, u shpreh kreu i PD.

Basha tregoi sesi do te gjenden fondet për realizimin e programit për stazhin njëvjeçar të paguar të punës për 10 mijë studentë të sapodiplomuar.

“Ai jep 25 mln euro me një dorë një koncesionari që nuk bën asnjë punë për ju, unë do t’ia anuloj ditën e parë dhe vit për vit me këto do të hap 10 mijë praktika pune për të rinjtë dhe të rejat”, tha Basha.

Në planin e Bashës, një vend kryesor kanë edhe të papunët.   

“Në Republikën e re e nesërme e sigurt do të thotë ndihmë ekonomike për të gjithë familjet në nevojë, pagesa e faturës së energjisë dhe ujit si shtesë, jo me një dorë të jap ndihmën dhe me tjetrën ta zhduk me faturat e larta”, tha kreu i Partisë Demokratike.

Basha tregoi një përvojë personale përse ka vendosur të tregojë vëmendje të veçantë ndaj pensionistëve.

“E di nga prindërit e mi që pensioni nuk u është rritur dhe nuk del. Pension jo me pak se 25 mijë lekë”, u shpreh Lulzim Basha.

Që ky plan të realizohet, Basha kërkoi bashkimin e shqiptarëve me projektin e “Republikës së re” pa dallime partiake.

Top Channel