Në Ditën e Dëshmorëve edhe Policia e Shtetit përkujtoi efektivët e rënë në krye të detyrës. Ajo që ra në sy në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast në mjediset e Akademisë së Sigurisë ishte mungesa e ministrit të Brendshëm.

Në vend të tij Elona Gjebrea, zëvendësministrja e cila po përjeton edhe një karrierë në ngritje. Ajo është e para në listën e Tiranës për deputet socialist, ndërsa Xhafa vetëm i dhjeti.

Por kjo nuk duket të jetë arsyeja përse ministri i ri i Brendshëm ka zgjedhur të punojë në “silent mode”. Fatmir Xhafaj duket se ka zgjedhur një tjetër model nga ai i parardhësit të tij në drejtimin e Ministrisë së Brendshme.

Nëse Saimir Tahirin e gjeje pothuajse çdo ditë në ekran, në aktivitete të Policisë së Shtetit, Xhafaj nuk e pëlqen “marketingun”. Në 1 muaj e gjysmë në detyrë, daljet në media të ministrit të ri të Brendshëm numërohen me “gishtat e njërës dorë”.

Shumicën e kohës ai e kalon në zyrë, larg kontakteve me uniformat blu dhe shumë protokollar, ndryshe nga parardhësi i tij që preferonte të komentonte thuajse çdo arritje të policisë.

Edhe në reagimin institucional, Xhafaj dallon shumë nga Tahiri. Përplasja me prokurorin e përgjithshëm për shkeljen e procedurave të asgjësimit të kanabisit mund të kishte qenë një mundësi e artë për Saimir Tahirin, një debatues i fortë dhe elokuent, për të vijuar debatin e ditës me zë dhe figurë, por jo për Xhafajn.

Si një zyrtar i vjetër dhe me përvojë, ai zgjodhi që me anë të një letre të rendiste një sërë argumentesh që në fakt “eklipsuan” shqetësimin e ngritur nga kreu i organit të akuzës.

Fatmir Xhafaj e mori detyrën vetëm pak ditë pasi qeveria prezantoi planin kombëtar kundër kanabisit dhe statistikat flasin se këtë zotim ai e ka marrë seriozisht.

Nga janari i këtij viti e deri më tani, policia ka sekuestruar rreth 28 tonë hashash, shumica prej të cilës pasi Xhafaj mori drejtimin e këtij dikasteri.

Një standard i ri i vendosur është edhe pezullimi apo përjashtimi i dhjetëra efektivëve që nuk parandaluan kultivimin, ndërkohë që Xhafaj ka përmendur disa herë edhe “vettingun” në radhët e policisë.

Megjithatë, menaxhimi i zgjedhjeve qoftë të dielën në Kavajë apo ato të 18 qershorit, do të jenë sfida e vërtetë për Fatmir Xhafajn, njeriun që opozita premtoi se do ta pengonte të hynte në zyrë, por që për të cilin tashmë ka rezervuar ndoshta atë që ai preferon më shumë, heshtjen.

Top Channel