Vjehrri pendohet në gjykatë: E vrava se më shau

05/05/2017 00:00

“Më shau dhe une nuk e di çbëra më pas. Por jam i penduar”. Me këto fjalë është shfajësuar para gjykatës së Krimeve të Rënda 75 -vjeçari Noc Tota, i cili pak ditë më parë vrau me mjete të forta nusen e djalit, Vera Tota.

Për shkak të moshës së thyer të të moshuarit gjykata e anashkaloi solemnitetin dhe nuk ndërhyri me kërkesën që ai të respektonte trupën gjyqësore duke hequr kapelen.

I moshuari i shpjegoi gjykatës se grindjet në shtëpinë e tyre ishin prezente përditë, ndërkohë që viktima nuk i respektonte dhe nuk u shërbente.

Por për prokurorinë Noc Tota ka kryer vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, një vepër kjo që parashikon dënimin nga burgim i përjetshëm deri në minimumin 35 vjet nëse aplikohet gjykimi i shkurtuar.

Pas grindjes së radhës Vera Tota, nënë e dy fëmijëve u qëllua me levë nga vjehrri . Krimi ndodhi në oborr, mëngjesin e 3 majit teksa pjesa tjetër e familjes ishte në gjumë.

Pasi kanë jetuar me qera në Laç, viktima ishte kthyer me bashkëshortin për të jetuar me prindërit e tij në fshatin Zhejë të Kurbinit.

Top Channel