U denoncua në “Fiks Fare”, procedohet zyrtarja e prefekturës së Korçës

05/05/2017 00:00

“Fiks Fare”, mbrëmjen e së enjtes denoncoi shefen e Financës në Prefekturën e Korçës, e cila kishte kërkuar një shumë marramendëse parash si ryshfet nga një kompani, e cila do të shpallej fituese në një tender fiktiv.

Ndërkohë, këtë të premte, specialistë të Sektorit për Krimin Ekonomik në Policinë e Korçës njoftuan se kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj Mirjeta Setallarit, 50-vjeçares me detyrë shefe Finance në Prefekturën e Korçës, pas dyshimeve se ka kërkuar shuma të konsiderueshme parash nga persona të interesuar për tendera, duke premtuar favorizime për fituesin.

Materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor për shefen tashmë të pezulluar nga detyra, ndërsa pritet të përballet me akuzat për veprat penale të “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, si dhe “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Në fund të komunikatës për shtyp, Policia e Korçës gjen rastin të falënderojë dhe vlerësojë rolin e medias në luftën kundër paligjshmërisë dhe garanton qytetarët se do të ndëshkohet kushdo që shkel ligjin.

Kërkimi i ryshfetit në sasinë e 90% të vlerës së tenderit u transmetua ditën e enjte në emisionin investigativ “Fiks Fare”, në Top Channel.

Top Channel