Tërhiqet Gruevski? Zaev, në spital te Sela: Ai na shpëtoi

05/05/2017 00:00

Përmes veprimit që bëri, Ziadin Sela u përpoq të na shpëtonte ne të tjerëve. Zoran Zaev e ka vizituar në spital drejtuesin e LR-PDSH-së, e prej tij ka mësuar arsyen përse lëvizi nga vendi, kur fillimisht ishte prapa Zaevit e në atë pozicion mund të mos kishte marrë goditje aq të forta.

Kreu socialdemokrat raportohet të ketë thënë në emisionin “Click Plus” se vetë lideri shqiptar, gjendja shëndetësore e të cilit tashmë është e stabilizuar, i rrëfeu se duke parë tensionimin e skajshëm të situatës ka menduar që po të spostohet, vëmendja e turmës do të kthehej nga ai.

Zemërimi i atyre njerëzve ishte drejtuar tek unë, mësohet të jetë shprehur Sela, e thashë se duke lëvizur do mund t’i ndihmoja disi kolegët. Në mediat maqedonase kanë nisur të qarkullojnë lajme që lënë të kuptohet se situata në vend më në fund mund të marrë zgjidhje. Sipas tyre, disa deputetë të VMRO-DPMNE-së po lëkunden përballë mundësisë për të kaluar me LSDM-në e kjo ka ngjallur panik në radhët e partisë së Gruevskit. Në rastin e një skenari të tillë, kampi socialdemokrat mund të shtonte radhët me 4 deputetë të rinj, ndërsa ai i VMRO-së do të tkurrej nga 51 ligjvënës në 47.

Shtypi vendas citon po kështu burime të larta pranë kësaj partie të pohojnë se mbledhjen e komitetit ekzekutiv lideri i kësaj force politike, Nikolla Gruevski ka treguar se do të shkohet në opozitë e i ka kërkuar atyre që mbajnë poste shtetërore të mos krijojnë probleme, por të lënë vulat e institucioneve.

Një pretendim i tillë nuk është konfirmuar zyrtarisht. Të enjten, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, i bëri me dije në rrugë zyrtare Presidentit Gjorge Ivanov formimin e shumicës së re parlamentare dhe zgjedhjen e tij në krye të Kuvendit. Xhaferi pret që kreu i shtetit të veprojë nga ky moment në përputhje me Kushtetutën, në të kundërt, ekzekutivi i ri do të krijohet edhe pa mandatin e Ivanovit.

Top Channel