Të dielën s’ka zgjedhje. Rama: 18 qershori, i panegociueshëm

05/05/2017 00:00

Kryeministri Edi Rama, në një deklaratë për shtyp të mbajtur pasditen e së premtes ka lënë të kuptohet se zgjedhjet lokale të dielën në Kavajë mund të mos mbahen.

“I kam sugjeruar kandidatit tonë në Kavajë të terhiqet nga gara të dielën”, ka thënë Rama. Kjo lëvizje e Ramës vjen pasi, sipas tij, PD ka përgatitur një plan konkret për të shkaktuar trazira të dielën në Kavajë.

“Ka një plan për destabilizim të këtij vendi, që çadra është ngritur për ta vënë në jetë. Këto janë fakt, por që Shqipëria nuk do të destabilizohet nga ky plan që me vendosmëri do ta çojmë deri në dështimin e plotë”, ka thënë Rama.

Ai është shprehur se, provokimit anti-kushtetues i “të tmerruarve nga drejtësia” qeveria nuk do t’i përgjigjet “flakë për flakë”. “Kavaja nuk do të bëhet shesh i një përsheshi të neveritshëm që po e gatuan PD-ja e që do të dështojë me turp”, është shprehur Rama.

Nga ana tjetër, kreu i qeverisë ka deklaruar se 18 qershori është një datë e panegociueshme. “18 qershori është përcaktuar sipas kushtetutës dhe nuk mund të jetë pjesë e asnjë negociate mes partive, sepse partitë duhet t’i garantojnë e jo ndërmjetësojnë të drejtat e popullit sovran”, ka deklaruar Rama.

Ai ka theksuar se, nëse PD vendos t’i shkojë deri në fund një strategjie politike vetëvrasëse, si kryeministër nuk mund të lërë asnjë gur pa luajtur për t’u mundësuar atyre që duan ende të votojnë PD të votojnë.

“Zgjedhjet do të bëhen më 18 qershor dhe më 8 maj unë nuk jam më në dispozicion të Bashës për bisedime, nëse ata nuk bien dakord për marrëveshjen për të modifikuar Kodin Zgjedhor dhe për të votuar vettingun”, ka thënë Rama.

Top Channel