“Lidershipi serioz është arti për të shmangur kolapsin”/ Kryeministri Rama ndan ‘porositë’ që i dha profesori i Drejtësisë vite më parë: Mos e nënvlerëso veten, vendi juaj… Presidenti Bujar Nishani ishte i pari që reagoi sapo Kryeministri Rama përfundoi deklaratën e tij, ku njoftoi tërheqjen e kandidatit socialist në Bashkinë e Kavajes.
Kreu i shtetit vlerësoi qëndrimin e Kryeministrit për shtyrjen e zgjedhjeve për Kryetarin e Bashkisë së Kavajës, si një mundësi për të vijuar dialogun politik mes palëve për të gjetur një zgjidhje kompromisi të krizës politike në vend.
Në këtë kontekst, Presidenti thotë se vijon që të nxisë mbajtjen hapur në vijimësi të dialogut mes palëve.
Vendimin e Kryeministrit e përshëndeti edhe OSBE, që e shikon nismën e shefit të qeverisë si mundësi të vazhdimit të negociatave për zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODHIR.
Edhe për kreun e ri të LSI-së Petrit Vasili, shtyrja e zgjedhjeve në Kavajë është në funksion të çtensionimit të situatës dhe i shërben krijimit të qetësisë publike.
Vasili thotë se dialogu duhet të vazhdojë dhe për këtë qëllim duhet krijuar hapësira dhe qetësia e duhur.
Kreu i LSI apelon që maturia duhet të jetë në funksion të zgjidhjes politike të qëndrueshme, pasi zgjedhjet me standarde mbeten sfidë madhore pa kthim.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po ashtu mbështeti thirrjen e Kryeministrit për shtyrjen e zgjedhjeve në Kavajë me qëllim, që siç thotë të ruhet përqendrimi i Qeverisë dhe opozitës tek procesi i dialogut.
Selia diplomatike e Uashingtonit në Tiranë thotë se nxit vazhdimin dhe përshpejtimin e procesit të dialogut, sepse koha që mbetet për të zgjidhur çështjet me anë të negociatave përpara zgjedhjeve të 18 qershorit është e kufizuar.
Reagimi i Ambasades Amerikane duket se jep një mesazh kështu për mosndryshimin e datës së zgjedhjeve. Në të njëjtat tone ishte kjo deklaratë edhe sa u përket përzierjes së akteve të dhunës në procesin zgjedhor.
“Mbështesim të drejtat e shqiptarëve për të protestuar paqësisht dhe nxisim të gjitha palët që të tregojnë vetëpërmbajtje. Ju bëjmë thirrje të gjitha partive që të mos angazhohen në akte që mund të nxisnin dhunë, veçanëritsht akte që ndikojnë në aftësinë e qytetarëve per të marrë pjesë në zgjedhje dhe për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar. Dhuna nuk ka vend në procesin demokratik”, thuhet në deklaratën e Ambasadës.
Thirrje kundër skenareve të dhunës bëri edhe Britania e Madhe, mesa duket në një reagim zinxhir dhe të koordinuar të të gjitha selive kryesore diplomatike në Tiranë.
Ndërkohë, vetë kandidati socialist për Bashkinë e Kavajës, Klodian Shehi, thotë se interesi kombëtar është i pari.
“Interesi kombëtar është mbi çdo interes vetjak. Kavaja e ka zgjedhur drejtimin e duhur. Ne do të vazhdojmë punën në Bashkinë e Kavajës për të ndërtuar çdo ditë qytetin që duam, Kavajën që duam, Shqipërinë që duam”, thotë Klodian Shehi.
Top Channel