Kanalizimet, Ahmetaj inspekton punimet në Kavajë

05/05/2017 00:00

Ministri i Financave Arben Ahmetaj, njëkohësisht i deleguari i Partisë Socialiste në Bashkinë e Kavajës dhe Rrogozhinës për zgjedhjet e 18 Qershorit, i shoqëruar edhe nga kandidati i PS për Kryetar të Bashkisë Kavajë, Klodian Shehi, inspektuan sot punimet për pastrimin e kanalit kullues të Përroit të Darçit.

“Unë jam shumë i kënaqur që sot këtu kanë filluar punimet për pastrimin e kanalit kullues të Darçit, i cili ka 25 vite pa u prekur dhe ishte kthyer në gangrenë për të gjithë zonën, qoftë për banorët, qoftë për bujqësinë. Ky është loti i parë, një punë në një gjatësi prej 6 km, ku i gjithë kanali pastrohet dhe të gjithë banorët janë shumë të kënaqur që më në fund do shpëtojnë nga përmbytjet e dimrit. Sa herë që bie shi mbi kapacitetin minimal që mund tëmbante ky kanal kullues, e gjithë zona përmbytej, fshatrat përmbyteshin. Janë dy njësi vendore, Luzi dhe Synej që shpëtojnë njëherë e mirë nga përmbytjet e dimrit”, tha Ahmetaj.
 
Për kandidatin për kryetar të Bashkisë së Kavajës, Klodian Shehi, shumë shpejt ky do të kthehet në një premtim të mbajtur për banorët e kësaj zone.

“Me nismën tonë dhe mendihmën e qeverisë dhe të ministrit, të cilin e falenderojmë nga ana ime personale dhe nga ana e Bashkisë së Kavajës, ne bëmë të mundur të nisim një investim, i cili dukej i pabesueshëm për nga rëndësia dhe forca që duhej për të bërë këtë punë. Megjithatë, investime të tilla do të ketë në zonën e Kavajës dhe sot ndihemi realisht mirë që pas dy viteve, ne u kthehemi këtyre zonave dhe këtyre banorëve për t’u thënë që ne premtimin që dhamë para dy vitesh, sot e kthyem në realitet”, u shpreh ai.

Kanali me njëgjatësi 18.5 km përfshin 5 njësi administrative në zonën midis Kavajës dhe Rrogozhinës. Punimet për pastrimin e kanalit parashikohet të përfundojnë brenda 75 ditësh.

Top Channel