Fond për fasadat dhe termoizolimin e pallateve

05/05/2017 00:00

Rregullimi i fasadave dhe termoizolimi i pallateve është një prej projekteve më të reja të Bashkisë së Tiranës, e cila ka planifikuar edhe një fond për këtë.

“Bashkia e Tiranës do të çelë më 15 maj një fond, ku mund të aplikojnë të gjitha asambletë e pallateve që duan të ndërhyrjnë në fasadat termike të pallateve. Pra, synimi është pallate të disiplinuara, por edhe për një termoizolim më të mirë për efiçiencën e energjisë”, thotë Admir Abria, drejtor për Marrëdhëniet me Komunitetin në Bashkinë e Tiranës.

Po a mund të aplikojnë të gjithë banorët që interesohen që fasada e pallatit të tyre të jetë më estetike?

“Aplikantë në projekt janë të gjitha njësitë e banimit. Pra nëse kemi një asamble të mbledhur, një kryesi të zgjedhur dhe të kontraktuar një administrator, që administron ndërtesën, atëherë atij i lind e drejta që të aplikojë tek fondi i komuniteteve në Bashkinë e Tiranës. Kemi disa aplikime të bërë dhe interesi është goxha i lartë”, shton Abria.

Fondi për komunitetin do të çelet më datë 15 maj, ndërsa Bashkia e Tiranës do të financojë 50 përqind të vlerës së investimit dhe do të hyjë në diskutime që ndryshimet të shkojnë me zonën përreth.

“Kur ndërhyrjet janë komplekse do të shikohet sesi ai kompleks pallatesh shkon me pjesën tjetër përreth tij”, sqaron Abria.

Top Channel