“Sfida nuk është të derdhet beton mbi kokat e flamingove”/ Rama në CNN: Njerëzit meritojnë të jetojnë në një tjetër lloj mjedisi, ku mund ta shijojnë natyrën “Jemi në të njëjtin pozicion që kemi qenë dje”, tha kryeministri Edi Rama, ndërsa të njëjtën gjë konfirmoi edhe Lulzim Basha, duke thënë: “Takimi i sotëm ishte, për fat të keq, një përsëritje e takimit të djeshëm”.
Dy orë pas negociatave në presidencë, me praninë e Bujar Nishanit, Edi Rama dhe Lulzim Basha, nuk arritën as në takimin e tyre të dytë, gjetjen e një marrëveshjeje për zgjidhjen e krizës politike.
Oferta e maxhorancës mbetet po e njëjta, përfshirë edhe një ministër që do të ketë detyrën e veçantë për votimin elektronik.
“Një zv.Kryeministër, të propozuar nga PD, por jo nga radhët e PD-së, dhe së bashku me tre përfaqësues të SHBA, BE dhe OSBE-së të drejtojë një Task Forcë, për të siguruar që shteti dhe asetet shtetërore nuk keqpërdoren për fushatë elektorale. Të ketë tre zv.ministra të propozuar nga PD, por jo nga radhët e PD, që të vendosen në Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Arsimit. Kam propozuar që menjëherë të caktohet nga Partia Demokratike, kuptohet që duhet të ketë njohje mbi teknologjinë dhe me një ekip e me një buxhet , për të përgatitur një projekt të besueshëm dhe për të paraqitur konkretisht projektin, për t’i realizuar këto avancime teknologjike, që nëse çertifikohen si të besueshme, atëherë t’i zbatojmë në zgjedhjet e ardhshme vendore”, u shpreh Rama në shpjegimin e ofertës së qeverisë ndaj opozitës.
Por ajo nuk pranohet nga opozita, pasi siç tha Basha, ajo nuk është një zgjidhje e vërtetë.
“Zoti Rama erdhi në tryezë, pa asnjë ofertë, përveç mosofertës së takimit të djeshëm, i cili buron nga mungesa totale e vullnetit për të realizuar krizën e rëndë politike në vend”, tha kreu i opozitës, Basha.
Kryeministri thotë se nuk negociohet data e zgjedhjeve.“Data e zgjedhjeve është 18 qershori. Ky është pozicioni im dhe pozicioni ynë. Kohë shumë nuk ka dhe më duhet ta përsëris që një ofertë tjetër nuk e kemi dhe nuk do ta kemi”, tha Rama
Ndërsa Basha, për herë të parë që prej fillimit të këtyre bisedimeve, tregoi ofertën e opozitës.
“Kollona e parë është një qeveri teknike, me mandat për të zgjidhur dhe për të ndalur influencën e krimit dhe të drogës, në zgjedhjet e ardhshme, si dhe për ti dhënë shqiptarëve kushtet ëpr zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kollona e dytë është eksplorimi i mundësisë që, brenda gjashtë muajve nga realizimi i marrëveshjes politike, të realizohet votimi elektronik biometrik dhe numërimi elektronik, për të cilat ka munguar tërësisht vullneti politik”, u shpreh Basha
I pyetur nëse do të heqë dorë nga kërkesa për largimin e Edi Ramës, Basha dha këtë përgjigje: “Ne kemi paraqitur dy shtylla dhe nga ky propozim nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Sigurisht, nuk kam ndërmend të zbuloj para jush pozitat tona negociatore. E kam thënë dhe e përsëris , që çfarëdo që Partia Demokratike dhe unë personalisht mund të ofrojmë, ta ofrojmë në funksion të zgjidhjes që duhet të jetë për qytetarët”.
Top Channel