Monika Kryemadhi: LSI garante e stabilitetit

03/05/2017 00:00

Konventa e LSI-së e mbajtur ditën e sotme zgjodhi Petrit Vasilin kryetar të kësaj partie, ndërsa Monika Kryemadhi zëvendëskryetare e LSI.

Në fjalën e saj, Kryemadhi u shpreh se LSI-ja duhet të jetë garanti i stabilitetit.

“Edhe sot e patë se si kjo politikë, peng i interesave dhe i paqartësive nuk arriti ta zgjidhë krizën prej kaq shumë javësh me gjithë kontributin e palodhur të LSI-së. Dy partitë e vjetra nuk arritën dot t‘i japin zgjidhje ngërçit politik, pjesëmarrjes së opozitës në zgjedhjet e qershorit. Kjo paaftësi e burrave që shqiptarët i shohin si zotër të fateve të tyre, duhet të na bëjë ne më të përgjegjshëm për të qenë faktorë stabiliteti në vend. Që politikanët, të cilët e kanë shndërruar këtë vend në arenën e përplasjeve pa mbarim dhe që po e rrënojnë ekonomikisht, LSI-ja duhet të jetë garanti i stabilitetit”, tha Kryemadhi.

Pas zgjedhjes së Ilir Metës President i Republikës, Kryemadhi do të jetë edhe Zonja e Parë, por ja çfarë mendon ajo për këtë status:

“Ka nga ata që mendojnë që përtej deklaratave, unë do të jem sipas protokollit Zonja e Parë e Presidentit. Iu them të gjithëve ju, edhe më skeptikëve, që unë jam e nderuar të jem sikundër parashikohet në ceremonial Zonja e Parë, më shumë se aq jam ndier dhe ndihem e nderuar që jam zonja e Ilir Metës. Unë jam ndier zonjë shumë e shumë vite më parë, që atëherë kur së bashku me Ilir Metën nisëm rrugëtimin tonë politik. Asnjë ceremonial nuk i përcakton dot kufijtë e të qenit Zonjë e Parë në krah të një burri të suksesshëm, që më shumë se një grua ceremoniale, preferon të ketë në krah të tij një zonjë luftarake, të paepur në betejat politike së bashku, madje edhe kur bëhet fjalë për betejat brenda mureve të shtëpisë. Ndaj këtë titull që ma dhuron të qenit bashkëshortja e Ilir Metës, unë preferoj ta ndaj me të gjitha gratë e Shqipërisë, të cilat janë Zonja të Para në shtëpitë e tyre dhe në Shqipërinë tonë. Sepse asnjë titull nuk të bën zonjë.

Zonjë të bën përkushtimi që ke ndaj familjes dhe ndaj vendit tënd. Dhe ky përkushtim për mua do të thotë më shumë energji dhe punë së bashku me ju, për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë për të gjithë ne. Jo duke premtuar gjëra që nuk mund të bëhen në një kohë të shkurtër, as duke u marrë me të shkuarën që iku dhe të gjithë e dimë se ç‘ishte”.

Monika Kryemadhe e mbylli fjalën e saj me një mesazh për të gjithë qyetarët që ditën e votimeve e shikojnë me skepticizëm dhe nuk shkojnë për të votuar. “Unë i kuptoj arsyet e tyre, sepse ata i shohin politikanët si njerëz të vetëkënaqur që përpiqen të rregullojnë miqtë dhe familjarët e tyre. I kuptoj që u mungon besimi dhe nuk mendojnë se qeveria mund ose do të punojë për ta. Kjo duhet të ndryshojë. Dhe ky është misioni im, misioni juaj, misioni i të gjithëve ne. Ne duhet t’i japim besim njerëzve, sepse LSI-a u jep një shans të gjithë shqiptarëve”, përfundon fjalimi i zonjës Kryemadhi.

Top Channel