PPE, Bashës: Futuni në zgjedhje! Larg dhunës, gjeni një zgjidhje

02/05/2017 00:00

Pas videokonferencës që ka pasur me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe grupin parlamentar të demokratëve, presidenti i Partive Popullore Europiane, Joseph Daul publikoi një deklaratë zyrtare.

“Kam pasur shkëmbim të frytshëm dhe të sinqertë pikëpamjesh me Lulzim Bashën dhe grupin e PD-së. Objektivi i videokonferencës së sotme ishte, mbi të gjitha, thirrja ndaj partisë shqiptare, anëtare të grupit tonë, të kontribuojë në mënyrë konstruktive drejt një zgjidhjeje për pjesëmarrjen e PD-së në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe për të ruajtur qetësinë, si dhe për vetëpërmbajtje ndaj çdo lloj akti dhune”, shkruan Daul.

PPE dhe PD-ja ndajnë pikëpamjen se lufta e ashpër ndaj drogës është vendimtare për Shqipërinë dhe për BE-në. E lavdëroj partinë anëtare të grupit tonë që e ka vendosur luftën ndaj drogës në krye të axhendës politike. Në këtë aspekt, bie dakord dhe do të mbështes faktin se BE-ja duhet të forcojë monitorimin dhe implementimin e planveprimit 2017-2020 për luftën kundër kultivimit të kanabisit dhe trafikimin e narkotikëve. Për më tepër, BE-ja duhet të shtojë mbështetjen financiare për kompletimin e mbikëqyrjes nga ajri të të gjithë territorit të Shqipërisë dhe për të identifikuar plantacionet e kanabisit, duke monitoruar edhe shkatërrimin e tyre, vijon më tej deklarata.

Regjistrimi dhe pjesëmarrja në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, e të gjitha partive është e domosdoshme. Kam theksuar gjithashtu se bojkoti i zgjedhjeve apo i Parlamentit nuk është aspak në përputhje me standardet e Bashkimit Europian apo të PPE-së. Në këtë kontekst, unë u sigurova nga grupi demokrat se partia do të përfshihet në negociata konstruktive me shumicën qeverisëse në mënyrë që të gjejë zgjidhje për dhënien fund të kësaj krize.

Mbi të gjitha, – thotë Daul në deklaratë, – theksova se kompromisi i propozuar nga zv.presidenti i PPE-së, David McAllister, gjatë javës së kaluar përcakton prioritetet e duhura në mënyrë që të sigurohen zgjedhje në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ndaj i bëj thirrje të gjitha partive që të gjejnë një zgjidhje politike ndaj krizës.

FOTO GALERI
2/2

Top Channel