
Fiks Fare zbulon skandalin në radhët e policisë, ku punonjësit e policisë, të cilët kanë për detyrë të kontrollojnë abuzimet në qarkullimin rrugor, përdorin makina me targa false për mjetet e tyre private.
Gazetarët e emisionit investigativ kryen një vëzhgim në tre qytete, Tiranë, Shkodër dhe Has, ku u zbuluan shkelje të ndryshme të punonjësve të policisë, që nga përdorimi i targave false e deri te mospagimi i taksave të mjeteve për shumë vite radhazi.
Fillimisht, gazetarët e Fiksit shkuan në qytetin e Hasit, ku qytetarët ishin ankuar për makinën e një oficeri të policisë rrugore, Ermir Metaliaj, i cili përdorte dy palë targa për mjetin e tij dhe asnjëra prej tyre nuk ishte e rregullt.
Duke u nisur nga kjo situatë, ne i kërkuam përgjigje Drejtorisë së Policisë Kukës, nëse është bërë verifikim për dy targat e makinës që përdoren nga oficeri i policisë rrugore, Ermir Metaliaj, i cili duket qartë në momentin që vjen e merr makinën e tij Volkswagen Passat, me targa AA 939 AA. Zëdhënësja e policisë Kukës, Diana Deda tha për Fiks Fare se nga verifikimi i kryer ka rezultuar se makina me targat AA 939 AA dhe AA 801 CD nuk është në përdorim të këtij punonjësi policie.
Pas kësaj përgjigje, Fiks Fare verifikoi pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor të dyja targat që kishte mjeti, i cili përdoret nga oficeri Metaliaj. Nga përgjigjja rezulton se targa AA 939 AA, i përket një makine Mercedes Benz, ngjyra gri dhe nuk ka paguar taksat që në vitin 2011. Ndërsa targa tjetër, AA 801 CD, i përket një mjeti Volkswagen, ngjyra e bardhë dhe nuk ka paguar taksat që në vitin 2011. Ndërkohë, të dyja këto targa i janë vendosur makinës së përdorur nga oficeri i policisë, Volkswagen Passat, ngjyrë gri.
Pas rastit të Hasit, Fiks Fare bëri një vëzhgim edhe në qytetet e Tiranës dhe Shkodrës, ku filmoi një sërë mjetesh që përdoren nga punonjës policie. Targat e këtyre makinave u dërguan për verifikim pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor.
Nga përgjigjja e DPSHTRR-së rezultoi se nga 42 targa të verifikuara, një pjesë e tyre ishin të çregjistruara, ose u përkisnin makinave të tjera dhe disa rezultonin debitore prej shumë vitesh. Duke u nisur nga kjo situatë, Fiks Fare solli me zë dhe figurë disa nga rastet e konstatuara, ku shkeljet rezultojnë nga më të ndryshmet. Madje, një punonjës policie, i cili ka në përdorim një makinë “Ford Fiesta”, ngjyrë gri rezulton se targat e makinës së tij, TR 30 99 B, i përkasin një mjeti autobus, ngjyrë e bardhë, e regjistruar në vitin 1995, por që tashmë nuk është më në sistem. Ndërsa një tjetër rast i denoncuar nga Fiks Fare është rasti i një makine Mercedes Benz, ngjyrë gri, e cila mban targën SH 8230 C.
Nga verifikimi i kryer në DPSHTRR rezulton se kjo targë i përket një makine Acerbi, ngjyrë e bardhë dhe nuk ka paguar taksa që në vitin 2003. Pra pavarësisht se këto targa rezultojnë debitore ose të çregjistruara, punonjësit e policisë i përdorin për makinat e tyre që nuk kanë asnjë lidhje me makinat për të cilat janë regjistruar këto targa.
Po ashtu, një tjetër rast interesant është ai i një Opeli me ngjyrë gri, i përdorur po nga punonjës të policisë rrugore. Nga verifikimi i kryer, targa e përdorur prej këtij mjeti, AA 840 JA, i përkiste një mjeti Daimler Chrysler, me ngjyrë gri. Por kjo targë ka ndryshuar në targën AA 002 PH. Gjithsesi, ajo nuk është nxjerrë nga sistemi, por tashmë mbahen të dy targat, njëra nga i zoti i makinës Chrysler, ndërsa tjetra nga punonjësi i policisë, i cili nuk ka asnjë lidhje me të.
Gjithashtu, gjatë investigimit të Fiksit u sollën dhe një sërë raste të tjera punonjësish policie, të cilat ishin debitorë në vite të ndryshme, pasi nuk kishin paguar taksat e makinave, që janë në përdorim të tyre, pavarësisht se nëse ata kapin një qytetar me këto shkelje, veç gjobave të majme që vendosin, ata bllokojnë dhe makinat e tyre.
Top Channel