PD mbledh urgjentisht grupin parlamentar

02/05/2017 00:00

Lulzim Basha nuk i komentoi qëndrimet shumë kritike të 3 deputetëve demokratë, Selami, Bregu dhe Topalli, por vendosi mbledhjen e grupit parlamentar pasdite.

Ky forum nuk ishte mbledhur që kur vendosi bojkotin e parlamentit në shkurt dhe është një nga kërkesat e 3 deputetëve, bashkë me kundërshtimin e tyre për mospjesëmarrjen në zgjedhje.

Por edhe pse Basha i shmangu deklaratat, një koment i tij gjatë takimit me demokratët u duk se kishte lidhje me këtë çështje.

“Kanë bërë gjithçka këto 74 ditë për të na shkurajuar, për të na trembur, e për të a përçarë, për të na blerë, për të na shitur, por kanë dështuar me turp”, tha Basha.

Për herë të parë, që kur kanë nisur përpjekjet për dialog, Lulzim Basha nuk e përmendi sot në çadër qeverinë teknike dhe mandatin e saj, por një mesazh për partnerët ndërkombëtarë e kishte.

“As shqiptarë apo të huaj nuk mund të më kërkojnë pazar me Edi Ramën për stabilitet pa demokraci, duhet ta kuptojnë se ajo që ka lindur më 18 shkurt është më e madhe se PD është më e madhe se opozita, është më e madhe se Lulzim Basha, është e madhe sa Shqipëria dhe shqiptarë”, u shpreh kreu i opozitës.

Lulzim Basha e mbajti ketë qëndrim, ndërkohë që ambasadori amerikan, Donald Lu ishte në një takim me kryerepublikanin Fatmir Mediu në një përpjekje të re për dialog.

“Unë mendoj se gjithmonë ka shanse për dialog sa kohë jemi të përgjegjshëm që duhet të bëjmë më të mirën për vendin dhe jo për interesa jo normale të pushtetit”, tha Mediu.

Por paralelisht me dialogun, opozita po bëhet gati edhe për të dielën, kur synon të bllokojë zgjedhjet në Kavajë.

“Të dielën është provë e madhe për këtë lëvizje”, tha Basha.

Top Channel