Me shprehjen: “Marrëveshja përfundoi, kemi tym të bardhë”, ministri grek  i Financave , Efklidis Tsakalotos, njoftoi suksesin e përfundimit të negociatave me kreditorët e Greqisë për vlerësimin e programit te reformave qe rrezikonte ecurinë e mëtejshme të ekonomisë së vendit. Por në përgjithësi grekët të mërzitur dhe të gjunjëzuar nga vitet e gjata të krizës, shprehen të pakënaqur.

“Taksat  po rriten, papunësia po ashtu. Kjo duhet të kishte përfunduar një vit e gjysmë më parë,mendoj se nuk punuan mire”, shprehet Giorgos Baberis.

“Nuk e kuptoj, çfarë duan huadhënësit? Duan përsëri paratë që na kanë dhënë hua. Por si do t’i marrin ne se nuk ka rritje të ekonomisë, nëse njerëzit nuk mund të punojnë në Greqi?”, shprehet një pensioniste.

Marrëveshja paraprake përfshin masa shtrënguese të reja si reduktimi me 18 % i rreth 900.000 pensioneve mbi 700 euro, taksimi i të ardhurave prej shumës 5681 euro nga janari i 2019, reduktimi i asistencave sociale për të papunët, të varfrit, për ngrohjen dhe shpenzimet mjekësore, shitja e 30-40% të aksioneve të centraleve të energjisë elektrike.

Por nga ana tjetër edhe parashikon edhe disa masa lehtësuese nëse Greqia do të arrijë teprica primare mbi 3.5% të GDP, si ulja e taksës për bizneset nga 29% në 22% apo të taksave për pasurinë e paluajtshme, asistenca sociale për fëmijët dhe për ushqimet në shkollë, investime 250 mln euro për vende të reja pune.

Ndërsa opozita konservatore akuzon qeverinë Tsipras se me vonesën e saj në nënshkrimin e marrëveshjes ka shkaktuar dëme kolosale në ekonomi. Athina zyrtare ka deklaruar se do t’i zbatojë masat e reja vetëm nëse kreditorët e saj do të përcaktojnë në samitin e ardhshëm të Eurogrupit në 22 maj një marrëveshje të përgjithshme për reduktimin e borxhit grek.

Top Channel