Ministria e Brendshme e Maqedonisë paditi 15 persona të përfshirë në dhunën që shpërtheu në parlamentin e vendit më 27 prill. Mësohet se ata akuzohen për ndalimin e kryerjes së funksionit të personave zyrtarë dhe pjesëmarrjen në turma që kryejnë akte kriminale.
Sipas ministrisë, 5 prej të akuzuarve janë vënë në pranga, ndërsa po kërkohen pjesa e mbetur. Megjithëse autoritetet maqedonase nuk kanë bërë të ditur identitetin e tyre, mediat në vend raportojnë se njëri prej të arrestuarve është kryeshef në Drejtorinë për siguri dhe kundërzbulim, pra në nëpunës i shtetit.
Ndërsa autoritetet kërkojnë të dyshuar, mediat në Maqedoni përmes analizimit të pamjeve të ngjarjes kanë nisur të zbulojnë dinamikën e incidentit në Parlament.
Sipas mediave, pas zgjedhjes së Talat Xhaferrit në krye të Kuvendit, deputetët e VMRO-DPMNE nxitën tensionimin e situatës me thirrje dhe këngë, madje dy prej tyre hapën dyert e Parlamentit pa u ndaluar nga siguria apo policia, duke lejuar hyrjen në sallë të protestuesve të zemëruar.
Ekspertët thonë se duket qartë që aksioni i dhunës në parlament ishte i planifikuar, pasi agresorët kishin deputetët e LSDM dhe kreun e tyre Zoran Zave, si dhe deputetin shqiptar Zijadin Sela, ndërsa të tjerët nuk i kanë prekur, pavarësisht se i kalonin fare pranë. Mediat thonë se grupet e dhunshme të protestuesve udhëzoheshin nga deputeti i VMRO-DPMNE Johan Tarçullovski, i dënuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte ndaj shqiptarëve.
Po duke shfrytëzuar pamjet e kamerave të ndryshme, deputeti i LSDM-së, Damjan Mancevski në një konferencë për shtyp, zbuloi emrat e shumë prej agresorëve që sipas LSDM morën pjesë në dhunë e ushtruar në Parlament.
Sigurisht që përqafimi i Ministres së Kulturës, Elizabeta Kançeska- Milevska gjatë natës së tmerrit në Kuvend me një nga huliganët e maskuar tregon mjaft qartë se ajo minimalisht e njeh atë, dhe forcon ndjeshëm pretendimet për një komplot të planifikuar e jo thjesht reagimin spontan të dhunshëm të protestuesve.
Top Channel