Vasili: Duhet kompromis. Interesi i vendit mbi të gjitha

29/04/2017 00:00

Kryetari në detyrë i LSI, Petrit Vasili deklaroi të shtunën se për krizën politike në Shqipëri duhet të gjendet një kompromis.

“Ka një opinion të konsoliduar për LSI, që lidhet me stabilitetin e vendit dhe çdo veprim në politikën e ditës dhe së nesërmes lidhet me të ardhmen e vendit. Jemi rrethuar nga ngjarje në rajon të një dramaciteti të lartë që na imponojmë të jemi më të përgjegjshëm se një ditë më parë, ndaj duhet të shohim interesin e vendit dhe jo të partive, pasi kaosin e vuajnë qytetarët. Të gjithë së bashku, pozitë dhe opozitë, jemi të detyruar të jemi kontribues të stabilitetit të vendit. Çdo interes politik është pa asnjë vlerë përpara qëndrueshmërisë dhe qetësisë së vendit”, deklaroi Vasili.

Duke folur për LSI-në, Vasili tha se kjo forcë politike, me apo pa Ilir Metën, është një forcë e qëndrueshme.

“LSI është e fortë në veten e saj. Pas 13 vjetësh veprimtarie politike të jashtëzakonshme dhe suksesi të jashtëzakonshëm politik ajo ka hyrë në një rrugë pa kthim”, tha Vasili.

Top Channel