Meta: Të rinjtë e bashkuar, fuqi ndryshimi për të ardhmen

26/04/2017 00:00

Kreu i LSI-së, Ilir Meta është takuar me të rinjtë e LRI-së së njësisë nr. 10 në Tiranë. Ai tha se suksesi më i madh është që ëndrrën ta realizojnë në vendin e tyre dhe të ndryshojnë të ardhmen e vendit.

“Nuk ka forcë më të madhe se sa kur rinia e kupton se çfarë përfaqëson, e kupton që vetëm e bashkuar mund të jetë ajo fuqi ndryshimi që garanton të ardhmen e saj, por edhe të familjeve të gjithë të rinjve dhe të rejave, të familjeve që keni sot, por edhe të familjeve që do të krijoni nesër”, – deklaroi Kryetari i LSI-së.

Meta shprehu bindjen se përqendrimi në çështjet dhe tematikat që u interesojnë më shumë të rinjve si edhe edukimi i duhur do të sjellin në të ardhmen vende pune më të mirëpaguara.

“Një edukim më i mirë do të thotë edhe një punë më e mirëpaguar, do të thotë edhe një mundësi edhe për të përballuar kostot e jetesës që në Tiranë janë më të larta se në rajone të tjera të vendit. Do të thotë edhe një familje e lumtur, do të thotë edhe një perspektivë për të krijuar familje të lumtura dhe të shëndetshme në të ardhmen”, – tha z. Meta.

Gjithashtu, Kryetar i LSI-së e vlerësoi LRI-në si një model të ri në gjithë politikën shqiptare dhe një model frymëzues për të gjithë organizatat e tjera rinore.

Top Channel