Meta takon Nishanin, bisedë në mesnatë për krizën politike

26/04/2017 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u takua në orët e vona të mbrëmjes me Presidentin Bujar Nishani, menjëherë sapo përfundoi takimin me partitë parlamentare, që e kishte thirrur ai vetë.

Nuk ka asnjë njoftim për shtyp, si nga Presidenca apo Kuvendi mbi këtë takim që u realizua në mesnatë, ndërsa kriza politike mendohet që mund të ketë qenë në qendër të bisedës.

Meta pati të mërkurën një axhendë të ngjeshur me takime me Ramën, ambasadorët e SHBA, BE dhe OSBE dhe në mbrëmje thirri tryezën e partive parlamentare, ku opozita bojkotoi. Lulzim Basha refuzoi ftesën e kryeparlamentarit për tu ulur në një tryezë si përpjekje për zgjidhjen e krizës.

Por, në takim shkuan partitë që aktualisht janë në Parlament dhe u diskutua për një paketë të gjerë për të përmirësuar standardet në zgjedhje. Diskutimet kanë qenë edhe për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Tryeza nuk mori vendim, por si Ilir Meta ashtu edhe Taulant Balla, nga Partia Socialiste, u shprehën sërish për dialog dhe kompromis me opozitën.

Top Channel