Basha: Intensifikojmë protestën

26/04/2017 12:00

Lulzim Basha konfirmoi vetë gjithçka ishte i gatshëm të lëshojë kryeministri Rama në negociatat e së martës.

“Dje Edi Rama e bëri të qartë se është gati të dorëzojë 4  ministra, KQZ-në, se është gati të dorëzojë zyrtarë të policisë, por nuk është gati të dorëzojë karrigen e tij”, tha Basha.

Lulzim Basha tha edhe çfarë kërkoi opozita.

“Kemi kërkuar qeveri teknike me kryeministër teknik, me ministra teknik, të cilët gazojnë besimin e të gjitha palëve politike. Nuk kemi qenë përjashtues, por u kemi propozuar që propozimet për emirin e kryeministrit të vijnë nga PS me miratimin e opozitës. Por Edi Rama refuzon të ndahet nga karrigia”, tha kreu i PD.

Lulzim Basha ka një shpjegim përse Rama nuk e pranon qeverinë teknike.

“Me qeveri teknike marrin fund skenat e koncesioneve korruptive dhe bie shtylla e krimit të organizuar që është shtylla e pushtetit të Edi Ramës”, tha Basha.

Megjithatë u duk se kreu i opozitës nuk ka mbyllur çdo derë për dialog.

“Koha për ta zgjidhur këtë me dialog po shkon drejt mbarimit. Më mirë vonë se kurrë, çdo minutë reflektim është i mirëpritur”, tha Basha.

Nëse dialogu dështon, opozita ka gati edhe një skenar tjetër.

“Përmes një aksioni të përshkallëzuar politik, përmes akteve të mosbindjes civile. Votime pa opozitën nuk do të ketë”, tha Basha.

Top Channel