Turizmi, Rama: Një nga shtyllat më të forta të ekonomisë

25/04/2017 00:00

Një vit më parë turizmi, sipas kreut të qeverisë, u rikonfirmua si një nga shtyllat më të forta të ekonomisë në Shqipëri.

Shifra e parave të prodhuara nga ky sektor bëri që qeveria të nisë bisedimet për 4 investime të mëdha, njëri nga të cilët nisi të ndërtohet në Gjirin e Lalëzit, ku shumë shpejt do të përfundojë resorti i parë me 5 yje në vend. Përfitimet, sipas Ramës, do të jenë në një kohë të shkurtër shumë pozitive.

“Fakti është që në 2016 turizmi prodhoi këtu në Shqipëri 1.5 miliardë euro, duke u shndërruar në një shtyllë shumë të fortë të ekonomisë shqiptare dhe krahasuar me një vit më parë, kontributi i turizmit në ekonomi u rrit me 200 mln euro. Projekti ynë i diskutuar dhe i vlerësuar nga BB dhe FMN flet për mundësinë e krijimit të 250 mijë vendeve të punes në turizëm në harkun e 7 apo 8 viteve të ardhshme”, deklaroi Rama.

Një vit më parë, në turizmin shqiptar kishte 25 për qind më shumë kërkesë sesa ofertë. Rama tha se afrimi i investimeve të mëdha si ky në Gjirin e Lalëzit do e afirmojnë Shqipërinë si konkurrent domethënës në rajon për turizmin.

“Në 3-4 vitet e ardhshme ky nuk do të jetë i vetmi kantier, por do të kemi 3 apo 4 kantierë të rëndësishëm që do të sjellin në ekonomi një injeksion shumë të rëndësishëm të ardhurash. Mezi presim të shohim investimin tjetër të këtij grupi në zonën e Dhërmiut edhe aty ambicja është po kjo, për të ndërtuar një tjetër resort me 5 yje. Jemi afër finalizimit të disa proceseve të tjera që nga Divjaka deri poshtë në Kepin e Stillos”, tha Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA